Mungesa e ngrohjeve dhe higjienës në disa shkolla të Prishtinës është shndërruar në temë diskutimi prej disa kohësh.
Lidhur me këtë problematikë, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, gjatë lansimit të platformës “NOËL 2026”, tha se Ministria e Financave i “ka bllokuar” disa procese dhe sipas tij, nuk po lejojnë që të përfundojnë.
“Këto probleme i ka shpjeguar drejtori i Arsimit, ku e ka treguar saktë se ku qëndron problem. Disa procese që ne i kemi filluar dhe nevojitet nënshkrimi nga niveli qendror prej Ministrisë së Financave, ata po i bllokojnë dhe nuk na lejojnë të kryejmë punë, sepse kjo është një kontratë me Bashkimin Evropian. Pra, nuk i bëjnë pagesat, sepse thirren po e analizojmë këtë ose këtë, derisa vendimet e Bashkimit Evropian e kanë pa që asgjë nuk ka ndodhur jashtë ligjore. Por, këta e shfrytëzojnë rastin t’i bllokojnë financat, duke mos lënë kryerjen e punëve në shkolla që pastaj mediat të thonë ‘pse është ftohtë nëpër shkolla’”, tha Rama.
Komuna e Prishtinës ka akuzuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve se ka bllokuar mjetet buxhetore të dedikuara për projektin e efiçiencës së energjisë, duke lënë pa ngrohje disa shkolla dhe çerdhe në kryeqytet.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, dje ka thënë se bllokimi i mjeteve nga Ministria e Financave, së bashku me ndërprerjen e punimeve nga operatori ekonomik, ka pamundësuar finalizimin e punimeve të ngrohjes.







