Të paktë në numër, por me kërkesa të shumta.
Ditën e Punëtorëve, zgjodhën të mos heshtin, por të shfaqin pakënaqësitë që kanë.
Punëtorë të Trafikut Urban në Prishtinë, për rreth dy orë, protestuan në hapësirat e kësaj ndërmarrjeje.
Përmes saj, kërkuan kushte më të mira pune.
“Ne sot kemi zgjedhur 1 Majin të shpallim një protestë paqësore për hir të asaj që është një ditë e veçantë për punëtorët e për të drejtat e tyre. Kështu që ne kemi këtë protestë për të shprehur pakënaqësitë tona dhe mospërmbushjen e kushteve në punë”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Shaip Selmani.
E nënkryetari i Sindikatës së re të punëtorëve në këtë ndërmarrje përmendi edhe disa nga kërkesat e tjera që kanë.
“Kërkesa kryesore e jona është që paga me na u rritë për 100 euro që na është premtuar që disa muaj, paga e trembëdhjetë si gjithë ndërmarrjeve që u takon me na taku edhe ne, oraret e punës me na u rregullu pak më mirë, me pas pauzë gjatë orarit të punës, me pas të drejtën e barabartë jo për disa punëtorë po për disa të tjerë jo”, tha nënkryetari i Sindikatës, Gani Gashi.
Por shpresë që ato do u plotësohen, nuk kanë fare.
“Me i dëgju këta, thonë kërkesat e plotësuara i keni se këta i kanë mirë për vetë. Këta gjithmonë thonë do të këqyrim do i rregullojmë, koha po shkon ndoshta i rregullojnë këta jo veç ndoshta vijnë të tjerët me i rregullu”, tha punëtori, Ilaz Hodolli.
Ai kujtoi edhe grevat e vitit të kaluar, për çka tha se kanë qenë të detyruar të dalin.
“Atëherë në atë grevën që jemi kanë e që shkonim tek Komuna atëherë jemi kanë në favor të tjetër kujt. Ata na kanë shti me shku pa dashjen tonë na kanë shti se ose me dal ose ta humbim ditën nëse nuk del në protestë, ajo nuk ka qenë në favor tonin hiç në favor të Komunës është kanë”, tha ai.
E në qoftë se kërkesat e tyre nuk do përmbushen, punëtorët paralajmëruan nisjen e grevës.



