Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së nevojitet lidership i fuqishëm për të ndërmarrë hapa për, siç tha ai, kthimin e padrejtësisë në drejtësi.
Limaj, i cili mori pjesë në protestën gjithëpopullore në mbështetje të katërshes së UÇK-së ë Hagë, e ka cilësuar situatën si një moment të rëndë, duke kërkuar që qytetarët të mos dorëzohen.
“Moment i rendë, i cili as nuk duhet të na ndalë, njerëzit me qartësi e pa u dorëzuar kanë luftuar fortë dhe me gjet rrugë që këtë padrejtësi me kthy në drejtësi. Tani duhet lidership i fuqishëm për të parë hapat e gabuar…Po e shihni sa i rëndësishëm është integriteti personal i një gjyqtari. Një gjyqtar që hapur ka zbatuar urdhra politikë, ka kryesuar trupin gjykues”, tha Limaj.
Ai ka ngritur pikëpyetje lidhur me integritetin e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, duke thënë se kjo duhet të jetë një nga temat kryesore që duhet diskutuar.
“Një nga temat kryesore që duhet të diskutohet është pikëpyetja e atyre që gjykojnë, integriteti i atyre që gjykojnë. Ne ngritemi në këmbë ndaj një padrejtësie që po bëhet ndaj njerëzve nga njerëz pa integritet. Dhe gjëja e parë që duhet të kërkohet është, kush janë gjyqtarët, integriteti i tyre”, theksoi Limaj.




