Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.Sh. dhe B.K., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe kundër A.S., B.S. dhe tre personave juridikë, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas Prokurorisë, aktakuza është ngritur më 14 shtator 2026, ndërsa rasti përfshin dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura në vitin 2021 dhe 2022.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.Sh., dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Aktakuzë është ngritur edhe “kundër A.S., dhe B.S., dhe ndaj personave juridik ‘K.H.’ Sh.P.K., ‘I.’ Sh.P.K dhe ‘H.S.’ Sh.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, secili veç e veç e ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 par.3 lidhur me par.2 të KPRK-së”.
Sipas aktakuzës, në rastin e parë, që lidhet me kontratën e vitit 2022, E.Sh., në cilësinë e drejtorit për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, dhe B.K., në cilësinë e zyrtarit për menaxhimin e projekteve dhe menaxherit të kontratës, “gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës kanë pranuar dhe certifikuar punime si të realizuara, ndonëse nga verifikimet në terren është konstatuar se ato nuk ishin kryer sipas kontratës”.
“Po ashtu, sipas aktakuzës, nuk janë proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, këto veprime “i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 euro, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë”.
Në rastin e dytë, që lidhet me kontratën e vitit 2021, B.K. dhe E.Sh., “në cilësitë e tyre zyrtare, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës”.
“Sipas aktakuzës, ata kanë pranuar punime si të përfunduara, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishin realizuar sipas kontratës, si dhe nuk kanë proceduar ndryshimet kontraktuale në pajtim me rregullat e prokurimit publik”, thuhet në njoftim.
Këto veprime, sipas aktakuzës, “i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 1,661.20 euro, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë”.
Sa i përket operatorëve ekonomikë dhe personave përgjegjës të tyre, Prokuroria thotë se A.S. dhe personi juridik “H.S.” SH.P.K., lidhur me kontratën e vitit 2021, “nuk kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera, duke shkaktuar dëm prej 1,661.20 euro ndaj Komunës së Suharekës”.
Ndërkaq, B.S. dhe personat juridikë “I.” SH.P.K. dhe “K.H.” SH.P.K., lidhur me kontratën e vitit 2022, “nuk i kanë realizuar punimet sipas kontratës dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm prej 8,301.78 euro”.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, “i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”.
Po ashtu, për personat zyrtarë është propozuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, ndërsa për personat juridikë është propozuar dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë”, sipas KPRK-së.








