Në platformat digjitale janë të shumta.
Mirëpo, këto profile të rreme të krijuara po kanë synime të ndryshme.
Lufta hibride me profile të rreme është shumë aktive edhe në Kosovë.
Sipas hulumtimit për nxitje dhune e përçarje në Kosovë nga eksperti i çështjeve kibernetike, Halil Berisha është ngritur shqetësimi për një aktivitet të koordinuar në rrjetet sociale.
“Këto operacione, së pari, duhet të themi se analizojnë situatën sociale e politike, pastaj përdorin dobësitë që i gjejnë për t’i shtyrë agjentët e tyre. Pra, nuk janë operacione të rastësishme, por ato e analizojnë shumë mirë vendin dhe pastaj përdorin pikat dhe dobësitë që ata i gjejnë për të ndikuar te qytetarët”, deklaroi Halil Berisha.
Sipas Berishës, këto profile në mënyrë të koordinuar dezinformojnë dhe postojnë e komentojnë kryesisht nëpër media dhe persona me ndikim.
“Në rastin tonë, para vendimit të Gjykatës Speciale është vërejtur një shtim i këtyre profileve, të cilët shpesh, me komente të njëjta, bëjnë thirrje për tension”, tha Berisha.
E përdorimi i rrjeteve sociale nga kategori të ndryshme në Kosovë, për ekspertin e çështjeve kibernetike, po e kthen vendin tonë në treg atraktiv për këto profile.
“Në Kosovë përdoren jashtëzakonisht shumë rrjetet sociale nga kategoritë e ndryshme të shoqërisë dhe, në këtë mënyrë, bëhemi target veçanërisht atraktiv, sidomos për shtete me pretendime ndaj nesh, sikurse Serbia dhe Rusia, në mënyrë që të shtyjnë narrativat e tyre, por edhe të nxisin trazira e përçarje”, pohoi Berisha.
Ndërsa, sipas Festim Rizanajt, veprimtaria e këtyre profileve të rreme mund të jetë e ndryshme, por që publiku duhet të ketë kujdes se nga kush po informohet.
“Problemi me mediat sociale është se aty ka publikues të ndryshëm dhe hapësira për manipulim është shumë më e madhe. Prandaj, qytetarët duhet të kenë kujdes gjatë marrjes së informacioneve: kush është publikuesi, kur është publikuar informacioni dhe cili është burimi i informacionit. Ata duhet ta verifikojnë atë”, tha Rizanaj.
Tutje, Rizanaj shtoi se mosverifikimi i informacioneve mund ta bëjë më të lehtë që të biem pre e këtyre profileve.
“Rreziku rritet kur këto profile të rreme arrijnë të kenë shumë ndjekës dhe shpërndarje në mediat sociale. Nëpërmjet kësaj, shumë informacione të rreme mund të krijojnë përshtypjen se bëhet fjalë për informacion të saktë dhe të vërtetë, duke krijuar një perceptim të gabuar për një zhvillim të caktuar”, sqaroi Rizanaj.
Teksa numri i këtyre profileve vazhdon të ketë rritje, publiku duhet të ketë kujdes për përmbajtjet që servohen nga këto.



