Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2026” po shërben si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e produkteve vendore, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e mundësive për bizneset kosovare në tregjet ndërkombëtare. Në këtë panair po prezantohen produkte dhe shërbime nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera mike, ndërsa pjesëmarrësit po e shohin atë edhe si mundësi për bashkëpunime të reja biznesore.
Në hapjen e panairit mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo tha se “Prishtina 2026” përveç promovimit të produkteve dhe shërbimeve, krijon mundësi për partneritete të reja dhe plasimin e produkteve vendore në tregje të reja.Kusari-Lila: Krahas prezantimit të produkteve, krijohen edhe mundësi për të gjetur partneritete të reja.
“Këtu sot, krahas prezantimit të produkteve dhe shërbimeve, krijohen edhe mundësi për të gjetur partneritete të reja, për të plasuar produkte dhe për të treguar vlerën e prodhimit të Republikës së Kosovës. Nga Ministria që drejtoj, në këtë vit, në vitin 2026, kemi ndihmuar mbi 74 kompani vendore për pjesëmarrje në nëntë panaire ndërkombëtare, ndërsa në to janë promovuar mbi 1 mijë e 200 produkte “Made in Kosova”. Ministria gjithashtu po mbështet organizimin e panaireve dhe do të vazhdojë të mbështesë e të bashkëpunojë edhe me odat dhe të gjitha organizatat relevante të biznesit në Kosovë, ..Për të krijuar më shumë mundësi për bizneset tona, po punojmë gjithashtu edhe me ambasadat e vendeve mike, këtu në Kosovë. Gjatë këtij viti kemi pasur forume në Itali, Holandë, Austri dhe Gjermani, ndërsa në muajt në vijim deri në fund të vitit presim në Kosovë përfaqësues të bizneseve nga Polonia, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera, me të cilat jemi në diskutim për të organizuar dhe finalizuar këto aktivitete”, tha Kusari-Lila.
Ministrja foli edhe për mundësitë e reja për eksport që, sipas saj, krijohen për bizneset kosovare përmes marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Më lejoni që t’ju informoj që prej 1 tetorit hyn në fuqi edhe marrëveshja e EFTES me vendet si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, dhe Republika jonë është vendi i parë në rajon që në këtë marrëveshje ka negociuar tregtinë e lirë për shërbime edhe produkte. Prandaj, më shumë mundësi për bizneset tona për eksport në këto vende, krahas edhe vendeve të CEFTES, pas ratifikimit të protokollit 5, 6 dhe 7 në Kuvendin e kaluar të Republikës së Kosovës, e gjithashtu edhe pjesëmarrjen tonë në marrëveshjen e stabilizimit të asociimit”, nënvizoi Kusari-Lila.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se “Prishtina 2026” u jep mundësi bizneseve që të prezantojnë prodhimet e tyre dhe të krijojnë lidhje të reja me partnerë nga tregu vendor dhe ndërkombëtar.
“Do të kemi mundësinë të shohin produktet tona prodhimet e Kosovës. Na mundëson të shohim që pas çdo produkti ka një investim të madh e një dëshirë me arrit më shumë. Dhe duke pas parasysh që ekonomia jonë si qëllim primar ka integrimin e shtetit në BE, pikërisht për këtë shërben edhe panairi, që të gjejnë partner, prodhues-konsumatorë, biznes për biznes, por edhe treg kosovar me tregun evropian, pse jo edhe më larg. Sot do të kemi mundësi t’i shohim të gjitha prodhimet tona, kemi mundësi të shohim se çka kemi në plan që ta zhvillojmë tutje, se ekonomia jonë po rritet dhe një shtet i fortë është vetëm kur e ka një ekonomi të fortë”, tha Rafuna.
Në “Prishtina 2026” po marrin pjesë edhe biznese nga Shqipëria.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të shkojë përtej shkëmbimit të mallrave.
“Vimë nga një ditë e vështirë, e djeshmja, por dua të them që ne shqiptarët gjithmonë kemi punuar dhe luftuar fort për ditë më të mira. Dhe patjetër që edhe këtë radhë do t’ia dalim…Për ne si Shqipëri dhe Kosovë, bashkëpunimi ekonomik nuk është thjesht një çështje e marrëdhënieve tregtare, por ne e shohim atë si një mundësi për të shfrytëzuar më mirë potencialet tona të përbashkëta, për të krijuar më shumë hapësirë për sipërmarrjen dhe për t’u dhënë bizneseve tona mundësinë që ato të rriten së bashku…Duhet të synojmë që shkëmbimet tregtare përmes Kosovës dhe Shqipërisë të synojnë që këto shkëmbime të mos mbeten vetëm në nivelin e shkëmbimit të mallrave, por të kalojnë gjithnjë e më shumë drejt investimeve të përbashkëta, partneriteteve ndërmjet kompanive, zinxhirëve të përbashkët të prodhimit, promovimit të eksporteve dhe depërtimit së bashku në tregje të reja europiane dhe më gjerë…Ambasada po punon që t’i inkurajojë më shumë bizneset e Shqipërisë për investime dhe partneritet me Kosovën në të njëjtën kohë”, tha ai.
Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, tha se panairi paraqet mundësi të rëndësishme edhe për promovimin e prodhimeve bujqësore vendore.
“E shoh këtë panair si një mundësi të rëndësishme për promovimin e prodhimeve vendore, krijimin e partneriteteve të reja dhe hapjen e mundësive të reja për fermerët tanë. Përmes memorandumit të bashkëpunimit që kemi lidhur si komunë me Odën Ekonomike, synojmë që bashkëpunimin ta kthejmë në rezultate konkrete, më shumë mundësi për fermerët, më shumë promovim për prodhimet tona dhe më shumë hapësirë për zhvillimin e bujqësisë lokale. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë fermerëve dhe prodhuesve tanë, sepse mbështetja e bujqësisë është investim në ekonominë dhe në të ardhmen e komunitetit tonë”, tha Rafuna.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorët për tre ditë radhazi, nga ora 09:00 deri në ora 17:00.




