Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së sotme në Prishtinë, një personi që ndodhej në mesin e protestuesve i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Zyrtarët policorë kanë ndërhyrë për ta nxjerrë atë nga masa dhe për ta dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor.
Sipas Policisë së Kosovës, protesta ka nisur në orët e paradites pranë objekteve shtetërore në Prishtinë.
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe kanë kërkuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Policia ka bërë të ditur se ka respektuar dhe garantuar të drejtën e qytetarëve për tubim dhe shprehje të lirë, ndërsa ka ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Fillimisht protesta është zhvilluar e qetë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë mbajtur disa fjalime.
Rreth orës 15:00 janë vendosur tenda në sheshin “Ibrahim Rugova”, pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në orët e mbrëmjes, protestuesit janë zhvendosur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë vazhduar protestën.
Policia ka raportuar se, herë pas here, persona të caktuar kanë hedhur mjete piroteknike dhe fishekzjarre.
Gjatë protestës, një protestuesi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Zyrtarët policorë kanë hyrë në mesin e protestuesve dhe, në bashkëpunim me qytetarët, kanë mundësuar nxjerrjen e tij nga masa. Personi është dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku ka marrë ndihmën e parë nga ekipi mjekësor.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe u ka bërë thirrje protestuesve që të vazhdojnë protestën në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, monitorimi i situatës dhe zhvillimeve në terren po vazhdon, ndërsa protestimi i qetë dhe paqësor kontribuon në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe në mbrojtjen e jetës dhe pronës publike e private./teve1.info/







