Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e Endrit Azemit, i cili dyshohet se kishte organizuar fushata për mbledhjen e parave në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se kishte nevojë për trajtim e rehabilitim shëndetësor.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet kanë nisur pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative, ndërsa veprimet janë ndërmarrë nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
“Gjatë hetimeve është dyshuar se i njëjti ka organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtim dhe rehabilitimin e tij shëndetësor, përfshirë edhe përmes platformës GoFundMe”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se llogaritë bankare të identifikuara në Kosovë janë bllokuar, ndërsa paratë e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës.
“Ndërkohë, për fondet e grumbulluara përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve”, thuhet më tej në njoftim.
I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor 2026, ndërsa më 23 nëntor, Gjykata Themelore në Gjilan, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Rasti po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të mundshëm, duke vënë në pah rëndësinë e mbrojtjes së solidaritetit dhe humanizmit të qytetarëve.
“Keqpërdorimi i besimit të individëve nuk duhet të cenojë gatishmërinë për t’i ndihmuar ata që kanë vërtet nevojë për ndihmë”, thuhet në përfundim të njoftimit të Policisë së Kosovës.







