Policia e Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit lidhur me protestën e zhvilluar gjatë së hënës në Prishtinë, e cila gjatë mbrëmjes u përshkallëzua pranë institucioneve shtetërore.
Sipas Policisë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndërkohë, edhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Policia ka bërë të ditur se gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës është përdorur gaz lotsjellës, përfshirë edhe topin e ujit.
“Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejshëm të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur pajisjet e nevojshme policore, gazin lotsjellës, përfshirë topin e ujit për shpërndarje të turmës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas njoftimit, gjatë protestës janë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë.
Policia ka njoftuar se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa veprimet e mëtejshme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
“Si pasojë e protestës dhe zhvillimeve në terren, mosrespektimit të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë shoqëruar në stacion policor tre (3) persona/protestues”, thuhet në njoftim.
Policia ka theksuar se ka ndërhyrë vetëm në rastet kur, sipas saj, protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve ose zyrtarëve policorë.
“Policia e Kosovës për asnjë ditë dhe në asnjë rast nuk ka vepruar ndaj protestuesve të cilët kanë protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, por ka vepruar vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, për shkak të situatës së krijuar, Policia ka njoftuar se në intervale të ndryshme kohore ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.
Në fund, Policia ka bërë të ditur se protesta po vazhdon edhe në orët e vona, ndërsa situata aktualisht është e qetë.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.







