Personi që ishte raportuar i zhdukur nga familjarët është gjetur pa shenja jete në fshatin Rahovicë të Ferizajt, pas disa orësh kërkime.
Lajmin për Teve1 e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se në operacionin e kërkim-shpëtimit janë përfshirë njësitë përkatëse policore dhe ekipet e specializuara.
Sipas Veselit, rasti është raportuar sonte në mbrëmje nga familjarët, të cilët kanë njoftuar se personi ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kishin arritur të kontaktonin me të.
Gjatë kërkimeve në zonën e Parkut të Pishave, në Rahovicë, është gjetur vetura e tij e markës “Skoda”, me targa të huaja.
“Për shkak të rrethanave të rastit, në kërkim janë angazhuar njësitë relevante policore, përfshirë njësinë K9 dhe Shoqatën për Kërkim dhe Shpëtim të Kosovës”, ka deklaruar Veseli.
Pas disa orësh kërkimesh, është gjetur një trup i pajetë, për të cilin dyshohet se i përket personit të raportuar të zhdukur.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e emergjencës dhe njësitë përkatëse policore. Rrethanat e rastit janë duke u hetuar, ndërsa informacione të tjera pritet të bëhen të ditura përmes raportit vijues të Policisë”, ka bërë të ditur Veseli.
Rrethanat e rastit mbeten nën hetim nga organet kompetente.











