Analisti politik Azem Vllasi ka komentuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1 interpretimin e këngës nacionaliste serbe për Kosovën, gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 15 nëntor 2026 në Bruksel.
Vllasi ka vlerësuar se paraqitja e kësaj kënge nuk duhet të trajtohet si një lëshim i zakonshëm, duke shprehur dyshimin se ajo është përfshirë në program me qëllim. Ai ka kërkuar reagim nga institucionet e Kosovës, por edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
“Unë nuk kam dyshime se dikush nga qarqet serbe atje e ka futur këtë këngë dhe dikush e ka marrë ose e ka lëshuar me qëllim. Kjo është një provokim, një veprim i palejueshëm dhe nuk besoj se është krejtësisht i rastësishëm. Prandaj, është mirë që të ketë reagim. Mirë bëjnë që reagojnë edhe përfaqësuesit e Kosovës, por edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë duhet të reagojë. Ai nuk kërkoi shprehimisht kërkimfalje nga Brukseli, por tha se Bashkimi Evropian duhet të distancohet nga kjo çështje. Pa tjetër duhet të ketë reagim edhe nga Kosova”, ka deklaruar Vllasi.
Ai e ka cilësuar të çuditshme edhe faktin se në një aktivitet ku është diskutuar për shtetet e rajonit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nuk është ftuar përfaqësuesi i Kosovës, ndërsa në program është përfshirë një këngë me përmbajtje nacionaliste serbe.
“Është e çuditshme se si në atë tubim është folur për shtetet e rajonit tonë, të cilat synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por nuk është ftuar përfaqësuesi i Kosovës. E dyta, dikush nga qarqet serbe e ka futur edhe këtë këngë serbe. Kjo nuk është njëra prej këngëve tradicionale folklorike serbe, por është një këngë teksti dhe muzika e së cilës janë shkruar dhe kompozuar për herë të parë në vitin 1989”, ka thënë ai.
Sipas Vllasit, kjo këngë ka një kontekst të veçantë historik dhe politik, pasi lidhet me periudhën e ngritjes së nacionalizmit serb dhe me ambiciet politike të Serbisë ndaj Kosovës.
Ai ka përmendur edhe paraqitjen e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq në Gazimestan, duke thënë se përmes saj Serbia kishte festuar shkeljen e dhunshme të pozitës kushtetuese të Kosovës dhe të shqiptarëve, ndërsa kishte paralajmëruar edhe ambiciet për zgjerimin e Serbisë.
“Fakti që Serbia, në mënyrë të dhunshme, përmes viktimizimit, ia ka shkelur Kosovës pozitën kushtetuese dhe i ka bërë gjithë ato gjëra të tmerrshme, lidhet edhe me paraqitjen e Millosheviqit në Gazimestan. Përveçse festoi shkeljen e dhunshme të pozitës së Kosovës dhe të shqiptarëve, ai paralajmëroi edhe ambiciet e Serbisë për t’u zgjeruar, për një Serbi të Madhe. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që edhe luftërat të kenë qenë pjesë e këtij qëllimi. Për këtë arsye, kjo është një këngë me përmbajtje problematike dhe besoj se dikush e ka futur qëllimisht në atë aktivitet”, është shprehur Vllasi.
Ai ka kërkuar që nga Brukseli të jepet një shpjegim i qartë nëse kënga është përfshirë gabimisht apo qëllimisht në program, duke theksuar se duhet të ketë edhe kërkimfalje, veçanërisht duke pasur parasysh se aktiviteti është udhëhequr nga Marta Kos, e cila, sipas tij, e njeh mirë historinë e Kosovës dhe raportet e saj me Serbinë.
Në fund, Vllasi ka folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se është momenti i fundit që Brukselit t’i bëhet e qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve përderisa Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të saj.
“Unë mendoj dhe jam i bindur se nuk është një gabim apo lëshim i rastësishëm. Duhet ta kemi parasysh se vazhdimisht nga Brukseli vijnë sugjerime për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Mendoj se ky është momenti i fundit që Brukselit t’i thuhet qartë dhe hapur se nuk mund të ketë dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa Serbia, në secilën mënyrë dhe vazhdimisht, qëndron në pozicionin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë. Atëherë nuk kemi çfarë të diskutojmë, sepse çdo dialog për diçka nënkupton se duhet ta ketë një përfundim”, ka deklaruar Vllasi në “Info Nata” të Tëvë1.








