Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, e ka cilësuar si të pritshëm anulimin e samitit të NATO-s, i cili ishte planifikuar të mbahej në Shqipëri në vitin 2027.
Në emisionin “Matrix” në Tëvë1, Kulla ka komentuar arsyet që, sipas tij, mund të kenë çuar drejt këtij vendimi, duke theksuar se situata nuk lidhet vetëm me protestat, por edhe me zhvillimet politike dhe marrëdhëniet brenda aleancës.
“Është një ngjarje e rëndë, por e pritshme. Lidhet me shumë gjëra, jo vetëm me protestat. Ajo është pika e fundit, nuk është pika më e rëndësishme”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka përmendur në veçanti qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar kërkesat e tij për rritjen e buxheteve të mbrojtjes.
“Presidenti amerikan Trump ka qenë shumë i qartë në samitin e Turqisë: Nëse ju do të vazhdoni të talleni dhe nuk do të ngrini buxhetet, nuk do të ketë më NATO”, është shprehur ai.
Kulla ka përmendur gjithashtu skandalin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe çështjen e përgjimeve, si zhvillime që, sipas tij, mund të kenë ndikuar në perceptimin e vendeve aleate ndaj Shqipërisë.
“Shqipëria me një skandal të tillë si ai me ministrin e Mbrojtjes, me përgjimet, nuk besoj se ka ndonjë vend anëtar të NATO-s, si Italia, Greqia, Turqia e të tjerë, që ndihet mirë me këtë situatë”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka shprehur shpresën që samiti të mund të mbahet në Shqipëri në vitin 2028, por ka vlerësuar se zhvillimi aktual përbën një moment të rëndësishëm kthese për vendin.
“Le të shpresojmë që në vitin 2028 të bëhet ai samit, por ky është një moment kthese dhe nuk është një moment i lehtë për Shqipërinë”, ka përfunduar Kulla/teve1.info/








