Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar se gara për kryetar të kësaj partie do të përfshijë edhe kandidatë të tjerë, përveç atyre që tashmë kanë bërë publike kandidaturat e tyre.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Rugova ka përmendur Hykmete Bajramin, Përparim Ramën dhe Arben Gashin si tre kandidatët që deri më tani kanë shpallur publikisht garën për udhëheqjen e LDK-së.
Ai ka paralajmëruar se kësaj gare t’i bashkohen edhe emra të tjerë, të cilët, sipas tij, vijnë nga tradita politike rugoviane dhe kanë qasje unifikuese për të ardhmen e partisë.
Sa i përket mundësisë që Vjosa Osmani të jetë pjesë e garës, Rugova ka thënë se nuk ka informacione për qëndrimin e saj, pasi ka kohë që nuk është takuar me të.
“E di një gjë të sigurt: do të ketë edhe kandidatura të tjera, tepër të fuqishme dhe kredibile, që vijnë nga filozofia politike e LDK-së, nga brumi rugovian, që kanë kontribuar dhe e duan LDK-në. Kandidatë që kanë qasje unifikuese dhe koncept për ndërtimin e një platforme të re politike, mbase edhe të një programi të ri qeverisës, që do ta unifikojë strukturën dhe anëtarësinë”, ka deklaruar Rugova.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e brendshme në LDK pritet të karakterizohen nga një garë serioze për postin e kryetarit të partisë./teve1.info/







