Vdekja e gazetarit serb Stefan Cvetkoviq, i njohur për hetimet e tij mbi vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq dhe për akuzat se nuk po merrte trajtimin e nevojshëm mjekësor gjatë paraburgimit, ka rikthyer në vëmendje një tjetër rast që vazhdon të mbetet i mbuluar me mister, atë të Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi.
A po përsëritet një skenar i ngjashëm edhe me të?
Tetë muaj pasi u plagos në rrethana ende të paqarta dhe, sipas familjes së tij, u rrëmbye në territorin e Kosovës nga persona të maskuar e të uniformuar (dyshohet për pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe), Vukashinoviqi vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi. Ai është i paralizuar, me një plumb ende në shtyllën kurrizore, ndërsa deri më sot nuk ka asnjë përgjegjës për sulmin dhe asnjë shpjegim zyrtar bindës për atë që ndodhi më 1 nëntor 2025 në fshatin Jellashcë të Leposaviqit.
Sipas një raportimi të Nova.rs, motra e tij Ivana thotë se familja nuk pret që rasti të zbardhet derisa të ndryshojë pushteti në Serbi. Ajo akuzon institucionet serbe se nuk kanë bërë asgjë për të hetuar plagosjen e vëllait të saj, ndërsa kritikon mënyrën se si ai është trajtuar gjatë paraburgimit, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore.
Sipas dëshmisë së Vukashinoviqit, ai ishte nisur për një takim në zonën e Leposaviqit kur automjeti i tij hasi në një pengesë të vendosur në rrugë. Pak më vonë, persona të armatosur hapën zjarr ndaj tij. I goditur disa herë nga pas, ai arriti të dilte nga automjeti, por më pas, sipas deklarimeve të tij dhe avokatit Ivan Niniq, persona të panjohur e morën nga vendi i ngjarjes dhe e transportuan në Serbinë qendrore. Familja e tij pretendon se për transferimin e Vukashinoviqit nuk ishte njoftuar fare.
“Për shkak se për pesë ditë askush nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me qëllimin me armë ndaj Milan Vukašinoviqit, unë, në emër të nënës së tij, kam dorëzuar kallëzim penal te Prokurori i Lartë Publik në Prokuplje, për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, kundër personave të panjohur — pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan R.”, ka shkruar avokati nga Beogradi në platformën “X”
Më herët, ish-zëvendësministri Radoica Radomiroviq kishte deklaruar për media se Vukashinoviqi ishte rrëmbyer në territorin e Kosovës nga persona të maskuar me uniforma ushtarake dhe ishte transportuar me tre xhipa në spitalin e Prokupljes.
Sipas tij, pas sulmit qëndron terroisti Milan Radoiçiq, për të cilin ai pretendoi se i kishte dërguar Vukashinoviqit një mesazh kërcënues.
“Nëse nuk kam arritur të të vras herën e parë, nuk do të të vras as tani, por do të mbetesh invalid për gjithë jetën”, kishte thënë ai.
Gjendja shëndetësore e Vukashinoviqit mbetet alarmante. Sipas familjarëve dhe miqve të tij, ai lëviz vetëm me karrocë invalidore, plumbi vazhdon të jetë në shtyllën kurrizore, ka humbur një veshkë dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm mjekësor. Motra e tij ka bërë të ditur se ai është transferuar disa herë ndërmjet burgut dhe institucioneve shëndetësore, ndërsa familja pretendon se gjithçka është bërë pa transparencë.
Përveç mungesës së hetimeve, Vukashinoviqi është përballur edhe me një fushatë diskreditimi në mediat e regjimit të Vuçiqit, të cilat e kanë etiketuar si “spiun”, ndërsa deri më sot nuk është zbardhur se kush e organizoi sulmin ndaj tij dhe pse.
Vdekja e gazetarit Stefan Cvetkoviq ka rikthyer debatet mbi trajtimin e personave që konsiderohen të papërshtatshëm për pushtetin në Serbi. Gazetari, i cili kishte hetuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërroi jetë dje më 12 korrik gjatë trajtimit në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd, pasi më herët kishte deklaruar publikisht se po i mohohej ndërhyrja kirurgjikale dhe kishte akuzuar presidentin Aleksandër Vuçiq dhe vëllain e tij për ndikim në mosrealizimin e trajtimit.
Rasti i Cvetkoviqit dhe ai i Vukashinoviqit janë shoqëruar me mungesë transparence të autoriteteve serbe, pretendime për trajtim të pamjaftueshëm mjekësor dhe mungesë përgjigjesh institucionale, kanë ngritur pyetje që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
Përderisa Beogradi nuk ka ofruar ende një shpjegim të plotë për plagosjen, rrëmbimin dhe trajtimin e Milan Vukashinoviqit, rasti vazhdon të mbetet një nga episodet më të errëta dhe më të pazbardhura që lidhen me veriun e Kosovës.







