Mbi 300 kompani nga 15 shtete po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Kosovë.
Ky panair dyditor i organizuar nga Unioni i Turizmit po mbahet në Pallatin e Rinisë, derisa te premten hapi dyert për bizneset pjesëmarrëse.
Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit tha se edhe në edicionin e tretë, ka rritje të jashtëzakonshme të turistëve nga mbarë bota.
“Vizitorët po vijnë po qëndrojnë nga 3-4 ditë dhe është duke u bë çdo ditë më atraktiv, falë potencialeve të cilat i kemi, angazhimit të akterëve dhe komunave që po organizojnë aktivitete”, tha Hoti.
E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama theksoi se ky vit premton të jetë më i suksesshëm se sa vitet e kaluara.
“Kemi një mori të profesionistëve të turizmit nga mbi 15 vende të ndryshme që po marrin pjesë në kryeqytet po shoh edhe fytyra të ndryshme që janë fqinjët tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi poashtu nga Turqia, Japonia, Bullgaria, Malta”, tha Rama.
Në këtë panair, kompani nga shteti i Maltës, po marrin pjesë për herë të parë.
“Është hera jonë e parë në Prishtinë, specifikisht në Kosovë, në po marrim pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit për herë të parë dhe qëllimi jonë është që ta rrisim turizmin nga Kosova në Ballkan. Malta është një destinacion për të gjitha stinët e vitit, kemi shumë për të ofruar për të gjithë, qoftë për histori kulturë apo ushqim”, tha menxherja e marketingut, Yasmine Scorfna.
Nga qyteti i Ulqinit, Zana Sarvan tha se po marrin pjesë qe dy vite radhazi.
“Pa marrë parasysh konkurrenca e cila në tregun e turizmit ekziston Ulqini dhe Mali i Zi ka çka t’iu ofrojë kosovarëve të Kosovës dhe jam e sigurt që në vitet e mëhershme numri më i madh i mysafirëve është nga Kosova edhe këtë vit do të ndodhë një gjë e tillë”, tha Zana Sarvan nga Organizata Turistike e Ulqinit.
Edhe kompani nga Kosova e Shqipëria u shprehën të lumtur që kanë mundësi përmes këtij panairi të promovojnë turizmin.
“Është viti i dytë radhazi që marrim pjesë, në të dyja vitet me bindje të plotë them se ka pasur pjesëmarrjet më të mëdha të qytetarëve dhe një interesim të madh nga ana e tyre”, tha Betiana Muqa nga Regina Hotel.
“Dhe pse shumica e njohin hotelin tonë, por prapë se prapë është një lloj promovimi se çka ofrojmë ma saktësisht për detajet që dojnë me i pa nga afër”, tha menaxherja e marketingut në Hotelin Emerald.
Qytetarët mund të vizitojnë panairin më 12 dhe 13 prill derisa mund të përfitojnë 20% zbritje në ofertat turistike.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Gresa Bardhecaj.







