Kjo e enjte, shënon gjashtë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
5 nëntorin e vitit 2020-të, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi paraprakisht patën edhe bastisje në shtëpitë e tyre nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
E në këtë përvjetor, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku thotë se çlirimtarët kanë qenë të braktisur nga shteti.
“Është një ditë e rëndë për secilin prej nesh që i ka njohur dhe i njeh personalisht. Kanë qenë gjashtë vite jashtëzakonisht të vështira, në të cilat ne që i kemi pasë miq dhe bashkëpunëtorë, na është dashur të ecim nëpër teh të shpatës, duke u munduar që t’iu dalim në ndihmë dhe duke u përkujdesur që përgjatë rrugës nga vullneti i mirë të mos iu bëjmë dëm .Ka qenë një periudhë e rëndë, thënë të drejtën për gjashtë vite, katër çlirimtarët tanë në Hagë kanë qenë të vetmuar, të braktisur nga shteti”, tha ajo.
Çitaku tha se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga Ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Ne e kemi ndërmarrë nismën ligjore dhe kam nevojë ta saktësoj: PDK nuk ka hequr dorë nga ligji. Ligji nuk është tërhequr, ligji është në procedurë parlamentare dhe kushtetuese. Pas miratimit të tij në lexim të dytë kur ka qenë tepër vonë që të bëhen ndërhyrje, ne kemi pranuar edhe disa rekomandime, të cilat janë në funksion të fuqizimit juridik të ligjit dhe në funksion të vënies së drejtësisë. Nuk mund të flas tani për detaje, sepse do të ishte jokorrekte nga ana ime, sepse është një punë ekipore që po bëhet. Por, unë jam e bindur që nëse ekziston vullneti politik që ka ekzistuar më 6 tetor, po ai ligj me ndryshimet që janë propozuar tashmë do të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, u shpreh u.d kryetarja e PDK-së.
E djali i Jakup Krasniqit, Altini tha se Gjykata Speciale nuk dënoi katërshen për veprimet e tyre, por për postet politike që kishin mbajtur.
“Jo rastësisht Smith këmbëngulte që drejtoria politike e UÇK-së ishte organ mbi organet tjera. Jo rastësisht duan t’i bëjnë përgjegjës personat që në një mënyrë apo tjetër ishin të lidhur me shtabin e UÇK-së. Pasojat e 16 shtatorit nuk ndihen tani, por vetëm pas një kohe të gjatë”, tha Krasniqi.
Drejtësi për katërshen në Hagë kërkuan edhe Aleanca.
Edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që të punohet në apel që të mos dënohen Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi.
“Nga kjo foltore, i shprehim solidaritetin tonë Rexhep Selimit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e familjarëve të tyre. Përtej dallimeve tona politike, Republika ka përgjegjësi që t’i mbrojë me çdo ligjor të drejtat e secilit prej tyre në apel, dhe siç tha Rexha në Hagë, kurdo që kthehen, do të kthehen në Kosovën e lirë për të cilën luftuan”, tha Arjeta Fejza, deputete e LVV-së.
Më 16 shtator, Thaçi dhe të tjerët u dënuan në shkallë të parë nga kjo Gjykatë.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 22 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13-të.






