Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar të hënën një takim me drejtorin e Europol-it, Jürgen Ebner, ku është diskutuar për bashkëpunimin dhe rezultatet e përbashkëta në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar.
Sveçla ka bërë të ditur se gjatë takimit është rikonfirmuar bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Europol-it, i cili, sipas tij, mbështetet në marrëveshjet e nënshkruara deri më tani.
Ai ka theksuar se Kosova mbetet partnere serioze e Europol-it, duke përmendur sukseset e operacioneve të përbashkëta kundër grupeve kriminale ndërkombëtare që cenojnë sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
“Operacioni i fundit i realizuar më 3 nëntor të këtij viti, i njohur si ‘Trado 3’, i udhëhequr nga Europol-i në koordinim me shtatë shtete evropiane, ndër të cilat edhe Kosova, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Kosovës në goditjen e çdo aktiviteti kriminal”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Në fund, ministri ka theksuar se Kosova do të vazhdojë ta thellojë bashkëpunimin me Europol-in, me synimin për të arritur rezultate të reja në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë./teve1.info/







