Filloi si orë mësimore krejt e zakonshme për Arelin.
Por, si e tillë, nuk përfundoi për nxënësin e klasës së gjashtë.
Madje një moment gjatë orës së gjeografisë në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren, u shndërrua në një situatë emergjente.
Nxënësit, i mbeti në fyt një pjesë e kimikut e cila i shkaktoi vështirësi në frymëmarrje.
“Isha duke luajtur me kimikun dhe mora frymë, e pastaj pjesa e vogël e kimikut me hyri në gojë e më mbeti në fyt. E kisha të vështirë me marr frymë deri sa shkova në tualet. Pastaj arsimtarja Fllanza erdhi me më dhanë ndihmën, më kapu pjesën e barkut dhe unë duke dashtë me pështy pjesën e kimikut e përtypa”, tregon ngjarjen nxënësi.
Vendimtar në krejt këtë situatë, ishte edhe reagimi i stafit të shkollës.
Arsimtarja, Fellanza Kirjatani, e cila po e mbante orën thotë se gjatë 34 viteve përvojë në arsim, më një situatë të tillë nuk u përballur asnjëherë.
“Deri sa ishte në gjysmën e korridorit edhe unë dola, por fat që dola. Ata veç arritën para meje që të hynin në tualetin e meshkujve edhe atje filloi të kollitet, por filloi edhe ngjyra e fytyrës të i ndryshohet. Fillova të shtyp pjesën e abdomenit disa herë, në atë moment kërkova edhe ndihmë duke bërtite “lajmëroni”. Me zë sa kisha fuqi, fillova të bërtasë edhe të kërkoj ndihmë se e pash që filloi të lëshohej në duart e mija. Sidomos në momentin kur e lëshoi kokën dhe dorën atëherë mu duk që e humba fëmijën në duart e mija. Nuk e shihja më fytyrën e tij, por e ndjeja që po e humbi. Po për fat të mirë që përfundoi mirë”, thotë ajo.
E thirrjet për ndihmë të arsimtares, i dëgjoi edhe një pjesë tjetër e stafit.
Falënderues ndaj stafit të shkollës për reagimin e shpejtë, ishin edhe prindërit e Arelit.
Kurse drejtoria e shkollës “Emin Duraku” u ndau nga një mirënjohje për mësimdhënësit që i shpëtuan jetën nxënësit.






