Mesdita e së mërkurës, i gjeti në gjykatore.
Kështu në ora 13:00, nga hyrja e veçantë, në gjykatë u futën dy serbë të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok.
Mbi M.J dhe M.B, ekziston dyshimi se në prillin e vitit 1999, morën pjesë në vrasjen e 23 civilëve shqiptarë.
E gjithë seanca për caktimin e masës së paraburgimit, u mbajt prapa dyerve të mbyllura.
Pas afër dy orësh, para gazetarëve, doli zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Arbnora Luta.
Kjo e fundit njoftoi se prokuroria paraqiti kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të dyshuarve.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore këtu në Prishtinë, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile. Të pandehurit dyshohet se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, kanë qenë të përfshirë në veprime që përfshijnë vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile”, ka thënë Luta.
Për këtë rast, të martën filluan edhe gërmimet në fshatin Kalludër të Zubin Potokut.
E gjitha kjo nën dyshimin se trupat e 23 shqiptarëve, u fshehën këtu brenda një varri masiv.
Ndërkohë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, po kërkojnë kudjes të shtuar në publikimin e informacioneve rreth këtij rasti.
“Nuk mund të komentojmë procesin që është duke u zhvilluar rreth gërmimeve në komunën e Zubin Potokut. Çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente. Andaj iu bëjmë thirrje të gjithëve, publikut, mediave, që të ruhen nga publikimi i çdo informacioni të pakonfirmuar, në shenjë respekti ndaj viktimave, identitetit të tyre, familjarëve të tyre dhe të këtij procesi hetimor. Pra këtë proces është duke e udhëhequr Prokuroria Speciale dhe mbetet e përkushtuar që ta hetojë çdo rast të krimeve të luftës, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës”, ka thënë tutje Luta.
Ndërkohë, në orët e pasdites, Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftoi se e ka miratuar kerkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve N. duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata vlerësoi që ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen pasi të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë.






