Në Durrës u zhvilluan takime të rëndësishme koordinuese për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Kosova, Shqipëria dhe organizatat ndërkombëtare sportive.
Në këtë vizitë të rëndësishme inspektuese dhe koordinuese morën pjesë përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), Komitetit Kombëtar të Lojërave Mesdhetare (OCMG), Komitetit Olimpik Shqiptar, Komitetit Olimpik të Kosovës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Ministrisë së Sportit dhe Rinisë së Kosovës, Komisionit Koordinues të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si edhe përfaqësues të Bashkisë Durrës dhe Bashkisë Prishtinë
Delegacionet u pritën nga drejtuesit e KOKSH-it, ku u diskutua në detaje mbi përgatitjet organizative dhe infrastrukturore për këtë event madhor sportiv.
Vizita vijoi me inspektimin e hapësirave sportive dhe zonave bregdetare ku do të zhvillohen aktivitetet e lundrimit, duke konfirmuar potencialin dhe rëndësinë strategjike të Durrësit në këtë event madhor sportiv për rajonin.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte roli i Durrësit si qytet mbështetës për Lojërat Mesdhetare, ku sipas autoriteteve Durrësi do të presë garat e sporteve ujore, duke u bërë një qendër e rëndësishme e eventit derisa janë zhvilluar inspektime në terren dhe takime koordinuese për infrastrukturën dhe organizimin.
“Gjatë takimit zyrtar, Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, riafirmoi angazhimin maksimal të qytetit të Durrësit për të qenë pjesë aktive në organizimin dhe zhvillimin e garave të lundrimit gjatë Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030” – bëri të ditur KOKSH.
Rëndësia e këtyre takimeve u vu në pah edhe nga Komuniteti Olimpik i Kosovës (KOK).
“Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi e nënpresidenti Milaim Kelmendi, bashkë edhe me këshilltarin e ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi dhe udhëheqësit e ICMG-së, Julian Pace Bonello, njëherit kryetar i komisionit koordinues për LM Prishtina 2030 e sekretari i përgjithshëm, Iakovos Filipoussis, u pritën nga drejtuesit e KOKSh, presidenti Fidel Ylli e sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima. Delegacioni i KOK, MKRS, Komuna e Prishtinës dhe ICMG ndodhen në Durrës për koordinim për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030” – njoftoi KOK-u.
Ndërkohë në një postim në faqen e tij zyrtare në facebook, pas takimit me presidenti Julian Pace Bonello, Ministëri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, bëri të ditur së vlerësoi progresin e bërë dhe mikpritjen shqiptare, duke shprehur besimin për bashkëpunimin strategjik për suksesin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Presidenti Julian Pace Bonello u shpreh i impresionuar nga mikpritja dhe progresi i sportit shqiptar, duke vlerësuar maksimalisht mbështetjen dhe bashkëpunimin strategjik për suksesin e Lojërave Mesdhetare 2030” – shtoiGonxhja.
Ndërkohë Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti në takim Presidentin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe njëherësh Presidentin e Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippousis, në kuadër të koordinimeve dhe përgatitjeve intensive për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, me ç’rast diskutoi për progresin e deritanishëm, projektet infrastrukturore dhe rëndësinë strategjike të këtij eventi për promovimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe përkushtimin e plotë institucional për realizimin me sukses të këtij projekti.
“Gjatë takimit diskutuam për progresin e deritanishëm, projektet infrastrukturore dhe rëndësinë që këto lojëra kanë për Kosovën, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe si një moment historik për promovimin ndërkombëtar të vendit tonë. Theksova përkushtimin e plotë institucional për realizimin me sukses të këtij projekti madhor, duke siguruar që trashëgimia e Lojërave Mesdhetare 2030 të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin e sportit, rinisë dhe infrastrukturës sportive në të gjitha rajonet e Kosovës” – njoftoi Gashani.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se ky bashkëpunim përfaqëson një model të ri rajonal, ku qytetet dhe institucionet bashkohen për të realizuar projekte të mëdha ndërkombëtare.
“Durrësi do të jetë pjesë e organizimit të garave të lundrimit, duke dëshmuar se kur qytetet dhe institucionet bashkohen, krijohen ngjarje që tejkalojnë kufijtë dhe fuqizojnë gjithë rajonin” – bëri të ditur Rama.
Prishtina dhe Durrësi po pozicionohen si bashkëorganizatorë të një eventi që pritet të ketë ndikim të madh sportiv dhe rajonal.







