Ragmi Mustafa ka folur për atmosferën para zgjedhjeve në Serbi, duke shprehur besimin se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të dalin masivisht në votime.
Ai ka thënë se shumë shqiptarë kanë ardhur në Luginë për fundjavë dhe se ekziston një entuziazëm i veçantë për bashkimin e partive politike shqiptare në Koalicionin Shqiptar.
“Këtë bashkim jemi munduar që ta dërgojmë në secilën lagje dhe shtëpi”, është shprehur Mustafa në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka theksuar se bashkimi politik do të sjellë rezultate.
“Jemi bërë bashkë kundër diskriminimit, kundër pasivizimit, kundër margjinalizimit dhe kundër qasjes armiqësore të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, theksoi ai.
Mustafa ka vënë në dukje se shqiptarët zakonisht tregojnë më shumë entuziazëm për zgjedhjet lokale sesa për ato parlamentare, por ka shprehur shpresën se këtë herë pjesëmarrja dhe mobilizimi do të jenë ndryshe.
“Duhet pranuar se shqiptarët janë entuziastë për zgjedhjet lokale, por jo edhe për ato parlamentare. Shpresoj se kësaj radhe do të jetë ndryshe”, potencoi Ragmi Mustafa.







