Brenda katër ditëve u vranë dy gra në Kosovë, njëra në Ferizaj e tjetra në Pejë.
Këto shifra alarmuan shoqërinë kosovare.
E arsyet që dërgojnë deri tek vrasja vlerësohet se vinë nga disa faktorë.
Këtë e shpjegon edhe neuropsikiatri Ferid Agani.
“Unë mendoj që kemi bërë një lëshim të madh në periudhën e pasluftës që nuk i kemi kushtu rëndësi të duhur formimit të personalitetit të të riut. Në radhë të parë në komponentin e ndërgjegjes së tij, të super egos së tij, pra në atë dimension të personalitetit të tij që ngërthen në vete vlerat etike dhe morale të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë aspekt kemi shënuar një regresion të dukshëm në krahasim të shteteve të Bashkësisë Evropiane në të cilat kjo arrihet në mes të tjerave, nëpërmjet arsimimit për çështje fetare”, tha Agani.
Një ndër arsyet sipas Agani është edhe arsimimi fetar nëpër shkolla.
Meqë sipas tij, vlerat etike dhe morale përcjelljen tek i riu nëpërmjet kësaj lënde.
“Pra çështja e arsimimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme është dashtë të zbatohet në vendin tonë qysh në vitet e para të pasluftës ashtu siç zbatohet në tërë Evropën. Sot vetëm 3 shtete në Evropë janë që nuk e zbatojnë këtë lëndë në sistemin publik arsimor, Kosova, Shqipëria dhe Franca”, tha ai.
E përpos këtyre problemeve, sociologu Genc Xërxa thotë që institucionet dështuan në ofrimin e sigurisë, sa i përket rastit paraprak që ndodhi në Ferizaj.
“Rasti që ndodhi në Pejë dihet se dorasi përpos që abuzojë me substanca narkotike kishte edhe probleme të ndryshme mentale. Pra ashtu që në këtë aspekt ne që i lëmë në një lloj mbikëqyrje nga aspekti i shëndetit mental nga mekanizmat përcjellës që duhet të ishin shumë të shprehur në shoqërinë tonë. Pastaj e kemi aspektin e sigurisë. Pra në rastin paraprak që ndodhi para qendrës për Punë Sociale kjo tregon që institucionet tona dështuan në ofrimin e sigurisë”, tha Xërxa.
Dita e mërkurë në Republikën e Kosovë si pasojë e këtyre vrasjeve të grave, ishte ditë zie.