Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas ngjarjeve të mbrëmjes ku flakët e zjarrit prekën Gjykatën e Lartë dhe u dëmtua edhe hyrja e Bankës së Shqipërisë si pjesë e protestës së dhunshme që ka shpërthyer tash e pesë ditë në Tiranë.
Në një postim në Facebook, ministri Gogu dënoi aktet e dhunës duke bërë një dallim të qartë mes protestës dhe dëmtimit të institucioneve.
“Dy institucione të pavarura. Asnjëri nuk është zyrë e qeverisë. Të dy i shërbejnë vendit dhe qytetarëve. Edhe ata që protestojnë, edhe ata që janë të zemëruar me qeverinë, kanë të njëjtën të drejtë për drejtësi. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë. Dua të jem i qartë: kush i vë zjarrin një gjykate, nuk godet qeverinë. Godet diçka që na përket të gjithëve. Të drejtën për drejtësi”, shkroi ai.
Gogu shprehu solidaritet me gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës së Lartë dhe konfirmoi gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për të ofruar mbështetje brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, përfundoi ministri.










