Iniciatori i peticionit “Për një Ferizaj pa Urosevac”, Bashkim Fazliu Migjeni, ka kërkuar që më 28 shtator, në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt, ta dorëzojë në mënyrë solemne peticionin e nënshkruar nga mbi 14 mijë qytetarë të Ferizajt te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Fazliu ka bërë të ditur se më 24 shtator i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kuvendit të Kosovës, respektivisht kryetares Haxhiu, për dorëzimin e peticionit në këtë datë, e cila, sipas tij, ka rëndësi të veçantë për qytetin.
Sipas tij, 28 shtatori shënon Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt dhe përmbylljen e Epopesë së Jezercit, ndaj dorëzimi i peticionit në këtë ditë do të kishte edhe rëndësi simbolike.
“Ka rëndësi të madhe edhe simbolike dorëzimi me 28 shtator 2026, meqë tashmë është konstituuar Kuvendi”, ka shkruar Fazliu.
Ai ka thënë se e kupton ngarkesën e Kuvendit dhe të kryetares Haxhiu, por ka theksuar se iniciatorët e peticionit kanë qenë për një kohë në pritje të konstituimit të legjislaturës së re.
Fazliu ka vlerësuar se pranimi i peticionit në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt do t’i bënte nder institucionit të Kuvendit, kryetares Haxhiu dhe qytetarëve të Ferizajt që, sipas tij, presin miratimin e kërkesës së tyre.
Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se deri në momentin e publikimit të njoftimit ende nuk ka marrë përgjigje nga Kuvendi lidhur me kërkesën e tij.




