Lëvizja Vetëvendosje ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit pas vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e kaluar.
Këtë e ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie Arbërie Nagavci.
“Si Grup Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që të mbahet sot. Si hap të parë, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve”, ka njoftuar ajo në Facebook .
Nagavci ka thënë se çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë.
Rasti në Pejë ka ngjallur reagime të mëdha, ku dyshohet se tashmë të ndjerës nuk i është ofruar ndihma e nevojshme.
Për këtë Prokuroria në Pejë ka njoftuar se kanë nisur hetimet për dyshimet ndaj zyrtarëve për moskryerje të detyrës.







