Analisti Xhevdet Pozhari ka kritikuar mungesën e të dhënave konkrete në raportin e Qeverisë për të arriturat e saj në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
Duke folur në emisionin “Kënd i Debatit” në Tëvë1, në një diskutim për bilancin e qeverisjes së Kurtit, Pozhari ka thënë se, ndonëse vërehen iniciativa dhe angazhim në luftimin e krimit dhe korrupsionit, raporti nuk ofron të dhëna të mjaftueshme për rezultatet përfundimtare.
Ai ka theksuar se në raport mungojnë statistikat për numrin e zyrtarëve të lartë të dënuar me aktgjykime të formës së prerë, si dhe të dhënat për pasurinë e konfiskuar në rastet e korrupsionit.
“Te luftimi i korrupsionit dhe sundimit të ligjit, ajo që më ka bërë përshtypje është se nuk ka të dhëna se sa raste të korrupsionit të zyrtarëve të lartë kanë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë, sa persona të këtij profili janë dënuar dhe sa pasuri është konfiskuar kur bëhet fjalë për korrupsionin”, ka deklaruar Pozhari.
Sipas tij, në këtë drejtim shihet se ka pasur iniciativa dhe angazhim në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndërsa ka vlerësuar se aktivitetet kundër grupeve kriminale kanë vazhduar edhe në ditët e para të qeverisjes së re.
Pozhari ka përmendur aksionet kundër grupeve të dyshuara për trafikim me narkotikë dhe trafikim me qenie njerëzore, duke theksuar se angazhimi në luftimin e krimit të organizuar është i shtuar.
Megjithatë, ai ka ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë, veçanërisht për kohëzgjatjen e trajtimit të rasteve gjyqësore.
Sipas Pozharit, vonesat në procedurat gjyqësore ndikojnë drejtpërdrejt te viktimat, të cilat vazhdojnë të përballen me pasoja derisa rastet e tyre të marrin epilog.







