Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, nuk do të jetë më kryetar i degës së Guxo-s në Mitrovicë.
Vet Peci ka njoftuar edhe vendimin për kryetarin e ri të degës. Nga tani e tutje, degën e Guxo-s në Mitrovicë do ta udhëheqë Enis Osmani.
Këtij të fundit, Peci përmes një postimi në “Facebook” i ka uruar suksese në konsolidimin e partisë.
“Falënderim për strukturën e GUXO-s në Mitrovicë. Për 4 vite, përveç bashkëkryetar, drejtova edhe degën e GUXO-s në Mitrovicë. Nga zemra, faleminderit për punën, përkushtimin e angazhimin e përbashkët. GUXO, në zgjedhjet e fundit, në garën për asamble, doli e 3-ta. Partneriteti i shëndoshë me Albin Kurtin dhe VV-në ishte vendimtar për ndryshimin e qeverisjes në Mitrovicë, ku edhe GUXO ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Bashkë do të vazhdojmë. Kryetarit të ri të degës së GUXO-s në Mitrovicë, Enis Osmani, dhe ekipit të tij i uroj sukses në konsolidimin e mëtejshëm të partisë”, ka shkruar Faton Peci.




