TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

by Tëvë1
41 minuta ago
1
A A
Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

Një këshilltar nga radhët e partisë në pushtet në Vishegrad, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, ka promovuar organizatën ultranacionaliste ruse Rusov, anëtarët e së cilës marrin pjesë në agresionin rus kundër Ukrainës.

Siç ka raportuar më herët Radio Evropa e Lirë (REL), Lëvizja Ndërkombëtare Bashkimi dhe Ringjallja Ruso-Sllave (Rusov) mban kontakte me disa grupe të ekstremit të djathtë nga Serbia, ndërsa lideri i kësaj lëvizjeje, Andrei Rodionov, ka vizituar disa herë vendet e rajonit.

Në kanalin e këtij grupi në Telegram, në prill u publikua një fotografi ku shihet Velibor Zekoviq, këshilltar i Partisë Socialiste të Republikës Serbe në Kuvendin e Vishegradit, duke pozuar me flamurin e Rusovit në kodrën Zagllavak, pranë Vishegradit.

Në shoqërinë e tij është edhe Zhellko Gjuroviq, i cili rreth dhjetë vjet më parë prezantohej si shef i degës serbe të Lëvizjes Gjithë-Ruse Fronti i Kosovës, të cilën autoritetet ukrainase e kanë cilësuar si një entitet që organizon dërgimin e njerëzve nga Ballkani në frontin e luftës në Ukrainë. Gjuroviqi ka po ashtu në mëngën e xhaketës një emblemë me simbolin e Rusovit.

Në përshkrimin e fotografisë thuhet se Zekoviqi dhe Gjuroviqi janë “aleatë serbë të lëvizjes Rusov” dhe se ndodhen “te vendi ku në vitin 1993 vullnetarët rusë luftuan dhe derdhën gjak krah për krah me serbët për Bosnjën serbe”.

Velibor Zekoviqi nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të Radios Evropa e Lirë për të folur rreth lidhjeve të tij me lëvizjen Rusov” As nga Partia e tij Socialiste e Republikës Serbe nuk ka ardhur ndonjë koment për fotografinë.

REL-i i shkroi edhe Zhellko Gjuroviqit përmes rrjetit rus Vkontakte dhe postës elektronike, por ai nuk ktheu përgjigje.

Përgjigje nuk ka ardhur as nga lëvizja Rusov.

Lidhjet e politikës së Bosnjës me të djathtën ruse

“Është paradoksale që partitë që nominalisht quhen socialiste flirtojnë me organizata të krahut të djathtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me ideologjinë e së majtës”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) Gjorgje Vujatoviq, gazetar nga Banjalluka i cili ndjek temat që lidhen me ndikimet e huaja në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithatë, ai thekson se kontaktet e aktorëve politikë nga entiteti i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, me grupet e djathta ruse nuk janë përjashtim, por rregull.

“Në të kaluarën kemi pasur raste kur shumë zyrtarë dhe funksionarë të lartë kanë marrë pjesë në ngjarje ku ka qenë i pranishëm edhe Aleksandar Zaldostanov, i njohur me nofkën ‘Kirurgu’, lideri i grupit rus të motoçiklistëve ‘Ujqërit e Natës’, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”, thotë Vujatoviqi dhe shton.

“E gjithë politika kryesore është e lidhur me Federatën Ruse”.

Arsyet e afrimit të partive kryesore nga Republika S[ërpska me Rusinë, Gjorgje Vujatoviqi i sheh para së gjithash tek oportunizmi i aktorëve politikë. Ai thekson se opinioni publik në Republikën Sërpska është në masë të madhe i prirë ndaj narrativit rus dhe politikës së presidentit rus, Vladimir Putin.

“Aktorët politikë e kanë kuptuar se kjo është e leverdishme për të ardhur në pushtet dhe të gjithë po hyjnë në valën e këtij populizmi dhe po luajnë me kartën e lidhjeve historike me Rusinë, pansllavizmit dhe ortodoksisë si faktor bashkimi”, thotë ai.

Nga ana tjetër, shton Vujatoviqi, për organizatat nga Rusia më e rëndësishmja është që idetë e tyre t’i përhapin përtej kufijve të Rusisë.

“Ballkani, për shkak të lidhjeve historike, është hapësira më e përshtatshme për këtë veprimtari përmes përfaqësuesve dhe për shfaqjen e përkatësisë ndaj botës shumëpolare, siç e quajnë ata”, konsideron ai.

Lidhjet e luftës ruso-serbe

Zekoviqi dhe Gjuroviqi shpalosën flamurin e organizatës ruse pas një kryqi të improvizuar, të bërë nga kontejnerë bosh të granatahedhësve, në një vend ku gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë në vitet ’90 vepronin pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe vullnetarë nga Rusia.

Prej vitesh, shoqatat e veteranëve të luftës nga Republika Sërpska organizojnë shënimin e “Ditës së Vullnetarëve Rusë”. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit autoritetet e Bosnje e Hercegovinë ua ndaluan vullnetarëve rusë hyrjen në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, ndaj në shënim morën pjesë përfaqësues të shoqatave të veteranëve të entitetit më të vogël të Bosnjës dhe familjarë të vullnetarëve nga Federata Ruse.

Ndër personat të cilëve iu ndalua hyrja në Bosnje ishte edhe Aleksandar Kravçenko, ish-vullnetar rus në Bosnjë dhe themelues i organizatës Fronti i Kosovës, me të cilën është i lidhur edhe Zhellko Gjuroviqi. Organizata e tij ishte aktive edhe para fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, gjatë konfliktit në lindje të këtij vendi, në rajonin e Donbasit.

Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar Frontin e Kosovës si organizatë që luan rol në rekrutimin e vullnetarëve nga Ballkani, por Kravçenko e ka mohuar këtë në një intervistë që më herët ka dhënë për REL-in.

Në kontekstin e shtetasve që shkojnë si vullnetarë në frontin e luftës në Ukrainë, Gjorgje Vujatoviq konsideron se kontaktet mes aktorëve rusë dhe serbë nuk janë tepër shqetësuese për sigurinë e brendshme të Bosnje e Hercegovinës. Megjithatë, ai thekson se problemi qëndron te fakti se shteti rrallë i sanksionon shtetasit që marrin pjesë në luftëra të huaja.

“Shkuarja në fronte të huaja është e dënueshme, por shteti nuk reagon, pjesërisht edhe për shkak se disa prej këtyre njerëzve kanë marrë shtetësi ruse”, thotë Vujatoviq.

Lidhjet ruso-serbe mbetën aktive edhe pasi Kremlini nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022. Numri i saktë i shtetasve të Bosnjës që kanë shkuar si mercenarë në frontin e luftës në Ukrainë nuk dihet, por Europoli njoftoi në vitin 2025 se në mesin e qindra pjesëtarëve të identifikuar të grupeve ruse të mercenarëve Wagner dhe Redut ka edhe shtetas të Bosnje e Hercegovinës, pa dhënë të dhëna më të hollësishme.

Një nga figurat më të njohura është Davor Saviçiq, një serb i Bosnjës, i cili mban gradën e kolonelit në Drejtorinë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, e njohur si GRU. Autoritetet ukrainase kanë nisur procedurë penale ndaj tij për krime lufte.

Në fillim të vitit 2023, në Telegram u publikua një video e dy ushtarëve të maskuar, të cilët në gjuhën serbe thanë se i ishin bashkuar forcave ruse në Ukrainë, më saktësisht batalionit Sudoplatov.

Të prezantuar me emrat e koduar “Danubi” dhe “Sava”, ata e përshkruan veten si “patriotë serbë dhe rusofilë” që kishin ardhur për t’u ndihmuar “vëllezërve rusë”.

Identiteti i tyre nuk është përcaktuar zyrtarisht, por mediat në Bosnjë e Hercegovinë zbuluan se bëhet fjalë për shtetas të këtij vendi, ndaj të cilëve është lëshuar fletarrestim nga Interpoli për vepra penale.

Në videon ku flisnin “Danubi” dhe “Sava”, ata mbanin emblemën e lëvizjes Rusov.

Skifteri i verdhë me simbolin e kryqit diellor – i cili është i përhapur në ikonografinë e grupeve të ekstremit të djathtë – shihet edhe në flamurin që në prill të vitit 2026 e shpalosën Velibor Zekoviqi dhe Zhellko Gjuroviqi.

Çfarë është lëvizja Rusov?

Bëhet fjalë për simbolin e një shoqate ruse, e cila në manifestin e saj zyrtar rendit si një nga qëllimet themelore rikthimin e “Rusisë së Madhe historike, mbrojtëses së sllavëve, bastionit të vlerave tradicionale dhe garantueses së ndërtimit të një shoqërie të drejtë nga pikëpamja sociale”.

Lëvizja Rusov mbështeti separatistët prorusë pas shpërthimit të konfliktit në lindje të Ukrainës në vitin 2014. Rodionovi, sipas pretendimeve të tij, themeloi njësinë Feniks, e cila luftoi në kuadër të brigadës Prizrak, ku kishte edhe disa vullnetarë nga Serbia, për të cilën REL-i ka raportuar më herët.

Në një fotografi, për të cilën pretendohet se është bërë në vitin 2015 në territorin e të ashtuquajturës “Republikë Popullore e Luhanskut”, shihet Rodionovi me uniformë kamuflazhi duke mbajtur, së bashku me një burrë tjetër, një flamur të kuq me simbolin e ekstremit të djathtë, i njohur edhe si “svastika sllave”.

Pas fillimit të pushtimit, Rodionovi publikoi në Telegram fotografi të tij me uniformë dhe armë, duke pretenduar se në vitin 2023 iu bashkua Korpusit Vullnetar Sulmues të Federatës Ruse.

Rusov dhe Ballkani
Kjo lëvizje u themelua në vitin 2012, ndërsa themeluesi i saj, Andrej Rodionov, ka qëndruar disa herë në Ballkan, gjë që e ka dokumentuar me fotografi në rrjetet e tij sociale.

Në një intervistë për Radio Beogradin në vitin 2020, ai tha se në lëvizjen e tij anëtarësohen “jo vetëm organizata dhe lëvizje të tjera, por edhe parti”.

Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar se Rodionovi e ka vizituar këtë vend disa herë që nga viti 2017, ndërsa në afërsi të Shkupit, në vitin 2018, organizoi një kamp për mësimin e arteve marciale dhe të “traditave shpirtërore të Rusisë së Lashtë”.

Në Serbi, Rodionovi mban kontakte me grupin e paregjistruar të ekstremit të djathtë Patrulla Popullore, që njihet për aksionet kundër migrantëve. Me liderin e këtij grupi, Damnjan Knezheviqin, Rodionovi shënoi në Beograd, në vitin 2021, 100-vjetorin e eksodit të monarkistëve rusë nga Rusia pas Revolucionit të Tetorit.

Pak më herët, po atë vit, Knezheviqi kishte vizituar Moskën, ku, ndër të tjerë, u takua edhe me Andrej Rodionovin.

Ndërkohë, Rusov u lidh me grupin Skifteri Serb, një grup më pak i njohur i ekstremit të djathtë, i cili në korrik të vitit 2024 organizoi në Novi Sad një tubim kushtuar “çlirimit të Srebrenicës”, duke iu referuar përvjetorit të gjenocidit që forcat e Republikës Sërpska, nën komandën e Ratko Mlladiqit, kryen gjatë marrjes së kësaj enklave në vitin 1995.

Mlladiqi u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë për këtë dhe krime të tjera në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në një fotografi të publikuar në maj të vitit 2025 në profilin e grupit Skifteri Serb në Instagram, shihet Andrej Rodionovi duke pozuar me tre persona të maskuar, me uniforma dhe armë, ndërsa janë të shpalosur flamujt e Rusovit dhe Skifterit Serb.

Në përshkrimin e fotografisë shkruhet: “Bashkëluftëtarët rusë me skifterët serbë në frontin e mbrojtjes së ortodoksisë”, ndërsa si lokacion është shënuar Donjecku, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Flamuj me simbolet e lëvizjes Rusov janë valëvitur gjatë protestave në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës, të cilat në disa raste i kanë organizuar grupet e ekstremit të djathtë në Beograd.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Sulmohet seksualisht një grua në Obiliq

Ngacmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet i dyshuari

KRU “Prishtina” zbulon lidhje ilegale të ujit në Arbëri dhe Ulpianë

KRU “Prishtina” zbulon lidhje ilegale të ujit në Arbëri dhe Ulpianë

GLPS kërkon konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues

GLPS kërkon konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues

Ferizajasi dorëzon në Polici portofolin e gjetur me 160 euro

Gjeti 3,800 euro dhe i dorëzoi në Polici, paratë i kthehen pronarit në Gjakovë

30 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, 8 vijojnë aktive

30 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, 8 vijojnë aktive

Sulmohet seksualisht një grua në Obiliq

Ngacmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet i dyshuari

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Tajlandë, shtatë të vdekur

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Tajlandë, shtatë të vdekur

Dhjetë vjet nga triumfi i Majlinda Kelmendit në Olimpiadën “Rio 2016”

Dhjetë vjet nga triumfi i Majlinda Kelmendit në Olimpiadën “Rio 2016”

KRU “Prishtina” zbulon lidhje ilegale të ujit në Arbëri dhe Ulpianë

KRU “Prishtina” zbulon lidhje ilegale të ujit në Arbëri dhe Ulpianë

GLPS kërkon konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues

GLPS kërkon konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues

Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën