Një tërmet me magnitudë 5.0 është regjistruar të shtunën në brigjet e Kalifornisë Jugore, në afërsi të Los Anxhelosit.
Pas lëkundjes së parë, rajoni është goditur edhe nga disa pasgoditje, ku më e fuqishmja ka arritur magnitudën 4.5.
Sipas raportimeve të CNN-it, katër pasgoditje me magnitudë nga 2.5 deri në 3.7 janë regjistruar brenda 45 minutave të para pas tërmetit.
Lëkundjet kanë shkaktuar shqetësim te banorët e Santa Monicas, ku disa qytetarë kanë dalë me nxitim nga objektet ku ndodheshin.
Ndërkohë, në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit është raportuar rënia e disa pllakave të tavanit në njërin prej terminaleve.
Autoritetet kanë bërë të ditur se deri në momentin e raportimit nuk ka informacione për persona të lënduar apo dëme të mëdha materiale.
Kryetarja e Bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm, duke paralajmëruar për mundësinë e pasgoditjeve të tjera.
Sipas vlerësimeve të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), ekziston një mundësi prej 30 për qind që zona të përjetojë edhe një lëkundje tjetër me magnitudë 4.0 ose më të lartë.









