Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në favor të këtij ligji votuan 66 deputetë, asnjë nuk votoi kundër, ndërsa shtatë deputetë abstenuan.
Para votimit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj ligjit, duke e cilësuar Byronë si një “monstrum politik”.
Ajo ka deklaruar se gjatë periudhës ndërmjet dy leximeve nuk janë bërë ndërhyrjet e nevojshme për ta përmirësuar ligjin dhe për ta bërë Byronë, sipas saj, një mekanizëm të drejtë.
“Sot kjo byro nuk është ajo që do t’i luftojë peshqit e mëdhenj. Ka dy rreziqe madhore, do të përdoret si shantazh politik, por do të pengojë ndjekjen penale të atyre që realisht kanë vjedhur”, ka thënë Kica-Xhelili.
Kritika ndaj ligjit ka shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Ai ka vlerësuar se ligji, në formën aktuale, bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga deputetët opozitarë, Kuvendi e ka miratuar ligjin në lexim të dytë me 66 vota për.







