Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar 7 shtatorin e vitit 1990 si një moment të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë.
Kurti ka thënë se me shpalljen e Republikës së Kosovës dhe miratimin e Kushtetutës së saj, delegatët e Kuvendit të Kosovës iu kundërvunë regjimit të atëhershëm serb ‘i cili një vit më parë kishte suprimuar autonominë e Kosovës’.
Ai ka theksuar se më 7 shtator 1990, 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, në një mbledhje të fshehtë, ku unanimisht miratuan dokumentin kushtetues dhe shpallën Kosovën Republikë.
“U bënë 36 vite nga dita kur delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, e shpallën Kosovën republikë dhe e miratuan një kushtetutë për të. Më 7 shtator të vitit 1990, dy muaj pas miratimit të deklaratës kushtetuese të 2 korrikut, 80 delegatë të Kuvendit të Kosovës nga 111 sa ishin gjithsej, arritën të mblidhen në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, në një mbledhje të fshehtë, në të cilën unanimisht e miratuan një dokument kushtetues të sapohartuar dhe e shpallën Kosovën republikë. Me këtë akt politik të deklarimit të Republikës së Kosovës, i pasuar nga akti juridik i miratimit të kushtetutës së saj, ata iu kundërvynë regjimit okupator të Serbisë që një vit më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës. Kështu autonomia e fituar më 1974 dhe e suprimuar më 1989, u zëvendësua me republikë më 1990”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas Kurtit, kjo ishte Republika e parë e Kosovës, e cila u shndërrua në një republikë të rezistencës, fillimisht paqësore e më pas të armatosur, duke kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Ai ka shtuar se më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës e shpallur në Kaçanik u ripërtëri si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.
“Kjo do të ishte e para republikë e Kosovës, një republikë që rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë paqësore e mandej e armatosur, kulmuar me luftën çlirimtare dhe të drejtë të popullit tonë të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më 1998 dhe 1999. Do të duhej të vinte 17 shkurti i vitit 2008, që republika e Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 në Kaçanik, të ripërtrihej në Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, të njohur nga 121 shtete të botës deri më tani”, ka theksuar ai.
Në fund të postimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për brezin që kontribuoi dhe u angazhua për Republikën e Kosovës gjatë viteve ’90, duke uruar për të ardhmen politike të vendit./teve1.info/







