Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dekoruar me medalje pjesëtarët e ekipit të FSK-së, të cilët fituan Medaljen e Artë në garën prestigjioze ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”.
Gjatë takimit me ekipin që përfaqësoi Republikën e Kosovës në këtë garë, Jashari ka përgëzuar pjesëtarët për suksesin e arritur, duke vlerësuar profesionalizmin, disiplinën, qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, si dhe përkushtimin e treguar gjatë garës.
Ai ka theksuar se ky rezultat është dëshmi e përgatitjes së vazhdueshme, punës ekipore dhe standardeve të larta profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.
Në shenjë mirënjohjeje për këtë arritje, komandanti Jashari ka dekoruar pjesëtarët e ekipit me medalje për rezultate të larta, duke vlerësuar përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në një garë me karakter ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të FSK-së, fitimi i Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026” dëshmon aftësitë profesionale, përgatitjen dhe qëndrueshmërinë e pjesëtarëve të saj, si dhe progresin e vazhdueshëm në ngritjen e kapaciteteve ushtarake.
“Kjo arritje jo vetëm që nderon Forcën e Sigurisë së Kosovës, por njëkohësisht forcon imazhin dhe prestigjin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se pjesëtarët e FSK-së janë të përgatitur për t`u përballur me çdo sfidë në aspektin profesional dhe janë të gatshëm t`i tejkalojnë këto sfida duke dëshmuar rezultat të lartë përkrah forcave ushtarake partnere dhe aleate”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/




