Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, lidhur me akuzat për keqpërdorime të pretenduara në kontratën 10-milionëshe për ndriçimin publik “Smart”.
Kërçeli, ditë më parë, kishte ngritur dyshime për keqpërdorime në këtë kontratë, duke publikuar një fotografi të një shiriti nëntokësor, për të cilin pretendoi se u ishte faturuar qytetarëve të Prishtinës me çmime dukshëm më të larta se vlera e tij reale.
“Shiriti që po e shihni në foto është shiriti i famshëm që ka kushtuar herë 19 e herë 8.5 euro metri gjatësi”, kishte shkruar Kërçeli në Facebook.
Ndërkaq, kryetari Rama, përmes një reagimi në Facebook, i ka cilësuar këto akuza si “show politik”, duke pretenduar se deputeti po e paraqet çmimin e një shërbimi të kompletuar si çmim të vetëm të materialit.
Sipas Ramës, çmimi prej 8.50 eurosh për metër përfshin furnizimin me material, transportin, punën e punonjësve, vendosjen e shiritit në kanalin përkatës, garancinë dhe mirëmbajtjen për 10 vjet, si dhe TVSH-në.
“Krejt këto shërbime me i paraqitë vetëm si çmim të një “shiriti” është veprim i ulët”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se procedura është trajtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, auditorët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe nga hetuesia.
“Nëse Ilir Kërçeli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le t’na kallxon”, ka shtuar ai.
Rama gjithashtu ka sqaruar se shiriti për të cilin po diskutohet nuk shërben për kufizimin e zonës së punimeve, por është shirit nëntokësor paralajmërues për praninë e kabllove elektrike.
Sipas tij, ai vendoset për të parandaluar dëmtimin e kabllove dhe për të mbrojtur punëtorët gjatë gërmimeve të ardhshme nga ndërmarrje si Ujësjellësi, KEDS-i dhe Termokosi.
Në fund të reagimit, Rama ka paralajmëruar se për deklaratat që i konsideron shpifje do të ndjekë rrugën ligjore, ndërsa Kërçelit i ka kërkuar që para se të dalë me akuza publike, të njihet me përmbajtjen e kontratës.
“E di që pas deklaratave të mia për Kryeministrin do të ketë invazion sulmesh ndaj meje, por më lejoni t’ju rikujtoj se do të kujdesem që për secilën shpifje ta ndjek rrugën ligjore. Ilir, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve”, ka përfunduar Rama./teve1.info/








