Kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas së cilës presidentja e vendit e ktheu në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara, po ngre pikëpyetje për arsyet e këtij veprimi dhe efektet që mund të ketë në procesin e rishqyrtimit. Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se PDK-ja duhet të japë sqarime shtesë për këtë kërkesë, ndërsa Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thekson se Rregullorja e Kuvendit nuk e përcakton qartë mundësinë e ndryshimit të ligjit pas kthimit nga presidentja.
Baraliu, në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se një nismë e tillë do të kishte peshë më të madhe politike, juridike dhe diplomatike nëse do të mbështetej nga të gjitha subjektet politike dhe institucionet e Kosovës.
Ai ka theksuar se nuk duhet të vonohet më shumë ky ligj.
“Do të duhej ca shpjegime plotësuese dhe justifikime po ashtu të bazuara ky subjekt politik, para se të bënte një kërkesë të tillë drejt presidencës. Është mirë meqë kanë qenë bartës dhe është dashur të mos jenë vetëm ata, por të gjitha subjektet politike, e gjithë Kosova dhe institucionet do të kishte fuqi shumë më tepër edhe politik e juridik dhe diplomatik. Meqë e kanë kthyer atë projektligj, a e kanë punuar mirë apo jo ka dy taborë siç duket dhe ata do të duhej të jepnin shpjegime me amandamentimet që mund të bëhen dhe të tregojnë pse e kthejnë dhe pse po na vonon ne, gjithë Kosovën, institucionet por edhe grupin për strategji që është formuar që me kohë, sa më parë të mobilizohemi dhe të punojmë unanimisht”, ka thënë Baraliu.
Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka shpjeguar procedurat kushtetuese dhe parlamentare që duhet të ndiqen pas kthimit të ligjit nga presidentja.
Sipas tij, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj për rishqyrtim, por një vendim i tillë duhet të shoqërohet me arsyetim konkret dhe kushtetues. Ai ka bërë të ditur se pas kthimit, ligji duhet t’i referohet komisionit përkatës parlamentar, i cili ka afat deri në katër javë për të përgatitur raportin.
“Kushtetuta e Kosovës ja njeh të drejtën presidentit që ta kthej ligjin në kuvend, mbi bazën e asaj që presidenti nëse e vlerëson që ligji apo dispozitat të caktuara të ligjit cenojnë interesin legjitim të Kosovës dhe të drejtat e komuniteteve. Kthimi i ligjit kumton që presidentja duhet të jap arsyeje të veçanta, konkrete e kushtetuese, pse ajo mendon që ligji apo dispozitat i cenojnë këto dy elemente. Përveç arsyetimit që jep, ligji i kthehet kuvendit dhe pastaj kryetarja e kuvendit duhet që ta referoj çështjen te komisioni për legjislacion, komisioni ka kohë deri në katër javë që të përgatit një raport. Në rast se komisioni vlerëson që vërejtjet ose kthimi i ligjit nga ana e presidentes nuk ka të bëjë me vërejtje të qëndrueshme, komisioni duhet ti rekomandoj seancës se çka duhet të veprohet tutje”, ka thënë ai.
Bugaqku ka ngritur gjithashtu çështjen e paqartësive në Rregulloren e Kuvendit lidhur me mundësinë e amendamentimit të një ligji që tashmë ka kaluar dy lexime dhe është kthyer për rishqyrtim nga presidentja.
Ai ka theksuar se nëse deputetët synojnë ta mbajnë në fuqi tekstin e miratuar më parë, duhet ta rrëzojnë veton e presidentes përmes votimit në Kuvend.
“Problemi është se rregullorja aktuale e punës e kuvendit nuk është se është e qartë, nuk e specifikon me ndonjë dispozitë që pas kthimit të ligjit deputetët e kuvendit apo edhe komisioni përgjegjës raportues mund ta amandamentoj përsëri ligjin apo diçka të tillë. Në rast se deputetët dëshirojnë që ligji i votuar në dy lexime të qëndroj, duhet ta rrëzojnë veton e presidentes dhe ajo veto të rrëzohet me së paku 61 vota pro”, ka thënë Bugaqku.
Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer ligjin për rishqyrtim më 22 tetor, pas propozimit zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së, si sponsorizues i tij.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi t’i rishqyrtojë veçanërisht dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës më 6 tetor 2026.







