Para më shumë se tri dekadash ishte një ndër personazhet kryesore, të një ngjarje historike.
Nga ulësja e kryesuesit të Kuvendit, Ilaz Ramajli udhëhoqi seancën e shpalljes së Kushtetutës së Parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.
36 vjet pas, emri i Ilaz Ramajlit është rikthyer sërish në vëmendje, si një kandidat konsensual për President të Kosovës.
Mirëpo, vet Ramajli, thotë se deri më tani nuk është kontaktuar nga asnjë prej partive politike.
“Dje e kam parë që emri im po përflitet nëpër portale dhe televizione. Më duhet t’iu them se mua askush nuk më ka kontaktuar nga partitë politike lidhur me këtë temë, as më herët e as tani”, ka thënë Ramajli për Tëvë1.
Megjithatë, 75 vjeçari, thotë se për shkak të moshës nuk është i gatshëm për këtë pozitë.
“Unë edhe po të ndodhte një gjë e tillë, nuk jam në gjendje të pranoj një pozitë të tillë, duke pasur parasysh moshën time. Unë ashtu edhe kam përfunduar aktivitetin tim në veprimtarinë profesionale që e kam pasur këto dy vite”, u shpreh një ndër nënshkruesit e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Ndonëse me një arsyetim tjetër, pozitën e Presidentit e ka refuzuar edhe profesori Ibrahim Berisha.
“Sot dolën ekzemplarët e parë të librit tim të ri, tri novela: “Rrëfimi i pendimit”. Komunikimi, kultura dhe letërsia kanë qenë dhe mbeten fokus i vetëm ku do të vazhdoj të përqendrohem”, ka reagur Berisha.
E në Vetëvendosje janë të bindur se do ta gjejnë Presidentin konsensual.
“Ka figura në Kosovë që mund ta ushtrojnë këtë detyrë, nuk është folur për emra, natyrisht që ne kemi mundësi që të japim emra por ka shumë rëndësi që të kemi një lloj pajtueshmërie, jo shiko çfarëdo emri që e jep Vetëvendosje në këtë fazë vuloset si figurë e Vetëvendosjes dhe pamundësohet çfarëdo konsensusi”, thotë Adnan Rrustemi nga LVV.
Edhe sipas profesorit universitar, Dashamir Bërxulli, në Kosovë ka mjaft figura që mund të bëhen President.
“Unë mendoj që ata nuk do të donin një person i cili do të merrte kompetencat e Qeverisë, jo vetëm në kuptimin Kushtetues por edhe në kuptimin e imazhit që do të ishte personi qendror si pikë reference për bashkësinë ndërkombëtare për komunitetin kosovar, sic ka ndodhur ne zonjën Osmani sepse kjo ka çuar si të themi në dhënien e mesazheve të mënjanimit të zotëri Kurtit nga bashkëpunimi ndërkombëtar”, shprehet Bërxulli.
Për shkak të gjetjes së një emri që do t’i siguronte votat e nevojshme për President, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të mos e thërras seancën për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndonëse i ka votat për t’i kaluar këto dy procese.






