Që të gjashtë së bashku akuzohen se i ndihmuan ekzekutorit të mitur, Rejhan Belës, që ta vrasë rreshterin e policisë së Kosovës, Muahamet Lika.
Megjithatë, që të gjithë, Haki Bela, Rilind Murati, Edmond Lika, Vatan Çaka, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, u deklaruan të pafajshëm në Gjykatë.
Ndaj të akuzuarit kryesor, Rejhan Bela, është duke u zhvilluar një procedurë e veçantë, për shkak se kur e kreu veprën penale ishte i mitur.
Njëri nga dëshmitarët që dëshmoi në seancën e sotme ishte Sabedin Laqi, banor i kompleksit banesor, në hyrje të së cilit u vra rreshteri Lika.
“Isha bo gati me flejt, se isha në ndërrimin e parë. Por i kom ni katër krisma. Tri kanë qenë përniher, njo ka qenë 3-4 sekonda ma vonë. Piskama ka qenë e madhe e ni personit. Ashtu qysh kam qenë me rroba të fjetjes, kom dal edhe pa vesh kpuca, pa kurgjo, kom dal poshtë deri te vendi i ngjarjes” , u shpreh Sabedin Laqi- dëshmitar.
Kur doli në vendngjarje, Laqi e pa të shtrirë në tokë tashmë të ndjerin, i cili u mundua që t’i tregoj se kush ishte autori i sulmit.
“Pasi e ka qelë gojën dhe e kom vërejt që ka plumb në trup në pjesën e gjoksit, e kom vet “Muhamet, kush” e kom afru krytë gati te goja edhe ka dashtë të përgjigjet, u mundu, po mushknitë iu kishin mbushë me gjak dhe i plasi gjaki gojës” , u shpreh dëshmitari Laqi.
Pas Laqit, dëshminë e saj e dha bashkëshortja e rreshterit, Violeta Mulaku.
“Kurrë s’ma kish marrë menja që fundi i Muhametit do të jetë kështu, se s’ka pas fjalë me askënd” , tha Violeta Mulaku –bashkëshortja e policit të vrarë.
Pak ditë para vrasjes, Mulaku tregoi një bisedë shqetësuese të cilën e bëri me të ndjerin.
“Tri katër ditë para vrasjes, ishim t’u kthy nga qyteti për në banesë bashkë me Muhametin dhe unë i them se çka kanë këta që po rrijnë shumë grumbull. Ai ma kthen “Për çudi shumë janë t’u nejt. Diçka ka me kris, po çka nuk e di” , tha ajo.
Koordinimin mes të mitur Rejhan Bela dhe të akuzuarve të tjerë, i theksoi në fjalën e tij edhe prokurori Ismet Rrahmani.
Madje, për këtë ai tha se ka edhe incizime të kamerave të sigurisë.
“Duke u bazuar në videoincizimet, do të vërtetëohet se të pandehurit në bashkëkryerje duke ndërmarrë veprime të caktuara, kanë qenë pjesëmarrës duke e ndihmuar të miturin, Rejhan Bela” , tha Ismet Rrahmani –prokuror i rastit.
Të gjitha hetimet, prokurori deklaroi se dërgojnë vetëm në një drejtim.
“Konsiderojmë se provat materiale, dëshmitë e dëshmitarëve do t’i japin përgjigje kësaj pyetje, së këtu nuk kishte asgjë të rastësishme e spontane, por kishte parapërgatitje që në fund të kryhet vrasja e rreshterit Muhamet Lika” , u shpreh Rrahmani.
Megjithatë, gjithë këto akuza, për mbrojtjen e të akzuuarve janë të pabazuara.
“Fakti se i akuzuari është parë nga kamerat e sigurisë në lokacione të ndryshme, nuk e bëjnë atë përgjegjës për veprën penale”, tha Urim Bajraktari – avokat i Haki Belës
“Prokuroria nuk ka treguar se nga kush është planifikuar, si është realizuar, kush ka ekzekutuar dhe rolin e secilit prej të akuzuarve” , tha Musa Konxheli –avokat i Rilind Muratit.
“Nuk paraqitet asnjë provë apo dëshmi që e përfshin të mbrojturin tim në këtë vepër penale”, tha Ngadhnjim Rudi – avokat i Vatan Çakës.
“Në këtë akuzë nuk janë përmbushur as kriteret minimale për bashkëkryerje”, u shpreh Shpëtim Vishi – avokat i Edmond Likës.
“Rasti do të përfundojë me lirimin e Shkëlqim Kuka”, Kastriot Zenuni – avokat i Shkëlqim Kukës
“Nuk ka asnjë bazë ligjore se i mbrojturi im i ka dhënë ndihmë Rejhan Belës pas kryerjes së veprës penale” Fehmie Bytyqi – avokate e Diamant Gashit
Gjyqi do të vazhdojë në muajin shtator, ku do të dëgjohen edhe disa nga dëshmitarët e tjerë të rastit.



