Tre fëmijë janë vrarë dhe disa persona të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore në provincën Dhamar, në jugperëndim të Jemenit.
Rebelët huthë kanë fajësuar Arabinë Saudite për sulmin, ndërsa autoritetet saudite nuk kanë reaguar menjëherë ndaj këtyre akuzave.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga huthët, sulmet ndodhën të premten dhe goditën disa shtëpi në fshatin al-Ar, në distriktin Dawran Aness.
Viktimat janë një fëmijë tetëvjeçar dhe dy fëmijë dhjetëvjeçarë, ndërsa nga sulmi raportohet se janë plagosur edhe disa persona të tjerë.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press (AP), akuzat ndaj Arabisë Saudite vijnë në një periudhë të tensioneve të shtuara dhe të përplasjeve mes rebelëve huthë, të mbështetur nga Irani, dhe mbretërisë saudite me aleatët e saj jemenas.
Ndërkohë, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë nën kontrollin e huthëve, 124 persona janë vrarë në territoret e kontrolluara nga grupi që nga rifillimi i luftimeve në shtator. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.








