Prej 27 vitesh, Nazmie Sinani e përsërit vazhdimisht këtë lutje.
Ajo shpreson që t’i gjej mbetjet mortore të vëllasë së saj, Ilmi Cimilit, i cili vazhdon të jetë në listën e gjatë të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Gërmimet e kryera në Kalludër të Zubin Potokut, Sinanit ia kanë rikthyer shpresën.
Kjo pasi, vëllau i saj dyshohet se është i varrosur në këtë varrezë masive.
NAZMIE SINANI – MOTRA E ILMI CIMILI 00:09-00:13/00:16-00:23
“Po e presim ADN çka po na… Po dyshohet që edhe një varr masiv është të kqyrim inshalla sa e kom nanën gjallë”, tha Nazmie Sinani.
Të njëjtin lajm po e pret edhe Kadri Jusufi, i cili ka dy familjarë të zhdukur.
“Po e presim ADN-n me na ardh. E kena pak ma leht për me i gjetë eshtrat e tyne… I kom fëmijët e vëllaut kan qef . Jan në qef që i kan gjetë eshtrat e tyne. E shumë faleminderit për këtë komision që ka punu për popull e familjar na ka lehtësu neve shumë ma mirë”, deklaroi Kadri Jusufi.
Procesi i ekzaminimit të këtyre mbetjeve kockore tashmë ka nisur.
Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore treguan sot se mostrat po dërgohen në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, ku do të kryhet analiza gjenetike.
Por, sa mund të zgjasë ky proces?
“Secili rast është individual. Domethënë ne mund të flasim bazë praktikës, bazë përvojës që e kemi ne në raport me ICMP-në, raste të cilat i dërgojmë mostrat kockore në qoftë se nuk ka ndonjë problem në kuptim të nxjerrjes së profilit të ADN-së nga mostrat kockore, bazë praktikes sonë kjo periudhë kohore sillet rreth tre muaj Mirëpo, në qoftë se ka probleme në kuptim të nxjerrjes së profilit të ADN-së, që nevoitet më shumë kohë me pastru mostren, me përpunu ma mirë atëherë kjo periudhë zgjatet më shumë se tre muaj”, tha Ditor Haliti, petolog mjekoligjor nga IML.
E përveç procesit të identifikimit, rasti po përcillet edhe nga aspekti juridik.
“Ajo që është e rëndësishme me e cekë është që, paralel me, procesin e zbulimit ose, zhvillimeve që ndodh në terren, janë duke zhvilluar procesi juridik në gjykata tonë. Po, paradoxi i kësaj është, fakti që e përmendën edhe kolegët e mijë, është fakti që, përderisa ky zhvillohet procesi i drejtësisë edhe nuk duhet me e paragjykuar, verdiktin që do të nxjerrë sistemin jonë juridik ose sistemin e drejtësisë, në Serbi zhvillohet procesi i intimidimit të atyre që kanë informata me për këtë rast”, tha Haliti.
Ndërkaq, një tjetër problem mbetet bashkëpunimi me Serbinë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Është dashur që të trajtohen nga aspekti pastër humanitar. Mirëpo për fat të keq, kjo prej politikës po keqpërdorët, madje edhe po paralajmërohen sanksionime të atyre që eventualisht mund të ndihmojnë këtë proces. Ne jemi dëshmitarë të prononcimeve publike, jo gjysëm publike, jo të fshehta nga ana e autoriteteve serbe, duke filluar Daçiqin, me Vuçiqin i cili hapërdan, “Ne nuk jemi çka t’i bëjmë amerikanëve, s’jemi çka t’i bëjmë turqve, s’jemi çka t’i bëjmë shqiptarëve, po çka me bë me serbët tanë që po i japin informacione mbi varrezat?”, pohoi Agron Limani, kryesues i komisionit për persona të zhdukur.
Në gërmimet e zhvilluara muajin e fundit në tri lokacione, dy në Kalludër dhe një në Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur gjithssej mbetjet mortore të të paktën 23 personave.






