Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për reflektim dhe angazhim të përbashkët për tejkalimin e situatës aktuale politike.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Ai ka theksuar se zgjedhja e Presidentit do të kontribuonte në kompletimin e institucioneve të larta të vendit dhe, sipas tij, do të krijonte më shumë stabilitet institucional.
“Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate.Zgjedhja e Presidentit/-es jo vetëm se do t’i kompletonte institucionet tona të larta, por edhe do të krijonte stabilitet në këto kohë sfiduese. E vetëm me stabilitet institucional do të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin, edhe me ato që lidhen me procesin e drejtësisë e të shkallës së Apelit në Hagë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka bërë thirrje për kompromis dhe marrëveshje politike, duke theksuar se, sipas tij, stabiliteti institucional është i rëndësishëm për përballimin e sfidave të ardhshme.
“Të punojmë së bashku, të japim maksimumin që të tejkalojmë ditët e vështira që po kalon Kosova. T’ua dëshmojmë të gjithëve, po edhe vetes sonë e njëri-tjetrit, se e duam Kosovën, vendin tonë të bekuar. Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja. Për Kosovën ia vlen gjithçka”, ka përfunduar Peci./teve1.info/







