Një dekadë jetë, e kaloi në burgje si i burgosur politik.
Është ky veprimtari i cështjes kombëtare, Selatin Novosella, i cili për herë të parë u burgos në vitin 1964.
Si 18 vjecar, aktvititeti i tij politik, ra në syrin e regjimit serb.
Por, kjo nuk ishte hera e fundit që Novosella do të përfundonte parapa grilave, meqë u arrestua edhe disa herë të tjera.
Kësisoj, bashkë me studentë, profesorë, e persona të shquar të kohës, iu nënshtruan torturave e kushteve ç’njerëzore në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës, e të Beogradit.
Për Tëvë1, Novosella ka treguar se në cfarë kushte mbaheshin të burgosurit shqiptarë.
“Gjashtë dhjetë të burgosur, të palarë, zdralë, me tesha të palara, të parruar, me djersë të punës, mundesh me marrë me mend gjashtë dhjetë vetë në një kthinë. Ka ndodhë gjatë natës kur kemi dalë për nevoja fiziologjike, kur jemi kthy në atë kthinë, për një moment na është nalë fryma”, shprhet Selatin Novosella, ish i burgosur politik.
Por, si mbijetonin të burgosurit politik shqiptarë në këto kushte?
“Në burgun e Mitrovicës, u dashtë me ra barkas në korrik-gusht, mes derës dhe dyshemes mundet me pasë 10 milimetra, s’i ka as dy centimetra, jo dy vrimat e hundës, po veç me njanën m’e afru aty me marrë pak ajër të pastër nga koridori”, tregon Novosella.
Regjimi serb, sipas Novoselles, nuk e kurseu asnjë formë të torturës.
Njëra nga to, sipas tij, ishte edhe momenti kur iu servohej ushqimi.
“Ushqimi ka qenë me mbijetu. Me atë ushqim domethënë, me thanë popullorçe “sa me majt shpirtin gjallë”. Nëse t’u ka qit ta zëmë gjatë dimrit, mish e lakna, por në vend të mishit ka qenë një vesh i thiut. Atëherë u dashtë me hjekë veshin e thiut, m’i shpërla laknat, m’i qit pak krypë edhe m’i hangër. Ose ka ardhë pasul me mish prapë. Ama pasuli ka qenë me thundra të thiut”, thotë ai për Tëvë1.
E për vuajtjet e ish-të burgosurve politikë shqiptarë, deri më tani askush nuk doli para drejtësisë.
E verbër në këtë rast, u tregua edhe drejtësia ndërkombëtare.
Kjo e fundit më 16 shtator, konstatoi se i di në detaje se si u privuan nga liria 385 persona gjatë viteve 1998-’99.
Për ndalimin arbitrar të tyre, trajtimin mizor dhe torturën, i shpalli fajtor ish-krerët e UÇK-së.
Madje për ta, nxori edhe aktgjykimin dënues me gjithsej 81 vite bugim.
E kjo, nuk u prit mirë nga ish-të burgosurit politikë shqiptarë.
“As për familjet e katër burrave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, nuk janë më të ndishëm për gjykimin se sa ne të burgosurit politik. Veç na e dijmë deri në fund se çka do të thotë të jesh i gjykuar politikisht. Do të thotë të dënohesh, të poshtërohesh, të fyhesh, të satanizohesh për diçka që s’e ke bo”, shprehet Novosella.
Ndryshe, si pasojë e torturave dhe trajtimit çnjerezor në burgjet serbe, ndërruan jetë disa ish- të burgosur politik shqiptarë.
Në mesin e tyre, veprimtarët Fazli Grajçevci dhe Besnik Restelica.



