Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një inspektori komunal në Rahovec, me inicialet M.I., nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Sipas Prokurorisë, ndaj M.I. është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa është paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit.
I pandehuri dyshohet se gjatë tetorit të vitit 2025, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht inspektorit komunal në Rahovec, ka kërkuar dhe pranuar 300 euro ryshfet nga dëshmitari B.S.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, paratë janë dhënë me qëllim që M.I. të mos ndërmerrte masa ndëshkuese ose ta mbronte dëshmitarin nga inspektimet e inspektorëve të tjerë, në mënyrë që të mos i ndaloheshin punimet për nxjerrjen e zhavorrit.
Ndërkaq, më 18 qershor 2026, M.I. dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar edhe 500 euro ryshfet nga dëshmitari M.B., me qëllim që të mos i shqiptonte gjoba apo të ndërmerrte masa administrative lidhur me ndotjen e ambientit.
Me këto veprime, Prokuroria dyshon se M.I. ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, në vazhdimësi, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
I pandehuri, që nga 24 shtatori 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.







