Gianni Infantino ka kërkuar falje për “gabimet” që ka bërë në planin kundërthënës për të shitur aksione të garave tek investitorët privatë, por do të mbetet president i FIFA-s pasi mori përkrahje nga drejtuesit e lartë në takimin në Marok.
Infantino mblodhi anëtarët e bordit drejtues në zyrën e FIFA-s për Afrikë në Rabat, pas kritikave në rritje për propozimet e tij të anuluara. FIFA lëshoi një deklaratë mbështetjeje katër orë pas përfundimit të takimit.
Konfederata Evropiane, UEFA, tha në fundjavë se ka humbur besimin në Infantinon, duke e quajtur propozimin e FIFA-s një “marrëveshje të mjerë, të fshehtë dhe të errët”.
Kritika erdhën edhe nga brenda FIFA-s, duke përfshirë sekretarin e përgjithshëm Mattias Grafstrom, i cili ishte në takim.
Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar pas takimit të mbajtur vonë të mërkurën, Grafstrom dhe bordi drejtues “riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë” për Infantinon si president.
Infantino dhe Grafstrom gjithashtu dërguan një letër të nënshkruar te nënkryetarët e FIFA-s, këshilli dhe 211 federatat nacionale anëtare, duke thënë se “kërkojnë ndjesë sinqerisht” për gabimet e tyre dhe “angazhohen që ato të mos ndodhin përsëri”.
Të dy u fotografuan duke ndjekur së bashku një ndeshje të Kupës së Kombeve të Afrikës për futbolliste në Rabat, pas takimit.
Infantino u kishte premtuar të gjitha federatave nacionale nga 40 milionë dollarë, nëse do të mbështesnin propozimin për investime private në turnetë e FIFA-s, duke përfshirë Kupën e Botës. Kjo do të bëhej përmes një dege që planifikonte ta hapte Infantino, të njohur si FFE.
FIFA tha se gjatë takimit të së mërkurës gabimet në lidhje me FFE u pranuan, duke shtuar se nuk ishte qëllimi që këshilli i FIFA-s dhe federatat anëtare të FIFA-s “të ndiheshin të përjashtuara nga procesi dhe se procesi duhej të ishte trajtuar ndryshe”.
FIFA shtoi se “pranoi se u bënë gabime edhe pasi propozimi u publikua në media”. “Times” publikoi lajmin për planin e Infantinos më 28 korrik.
Megjithatë përmes deklaratës, FIFA tha se “organizata nuk do të tolerojë më asnjë sulm ndaj integritetit, qeverisjes së mirë dhe procesit të rregullt ligjor dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur emrin dhe reputacionin e saj”.
Më herët FIFA mohoi lajmin e “Times” se Infantino i kishte premtuar Marokut se do të organizonte finalen e Kupës së Botës 2030 në këmbim të mbështetjes.
Përkrahja që mori nga “brenda” u pasua nga kritika edhe më të ashpra ndaj zviceranit Infantino.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha se nuk kishte më besim tek Infantino. Ylli portugez, Luis Figo, i bëri thirrje Infantinos të jap dorëheqje.
Por Infantino pritet të garojë për mandatin e katërt në krye të FIFA-s. Zgjedhjet mbahen në mars në Marok, ndërsa rivalët potencialë kanë kohë deri më 18 nëntor për të paraqitur kandidaturat.
FIFA tha gjithashsu se “megjithëse u bënë gabime, gjithçka u bë në përputhje të plotë me kuadrin rregullotor të FIFA-s”. Federata Botërore shtoi se mendonte se rezultatet e takimit do të forcojnë qeverisjen e FIFA-s dhe do të rikthejnë besimin në organizatë.
UEFA nuk pritet të dorëzohet, por largimi i Infantinos nuk varet vetëm prej saj.











