Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka vlerësuar se Kosova duhet ta ruajë dhe ta forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Ai ka theksuar se mbështetja amerikane ka qenë e rëndësishme për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), përfshirë përkrahjen në misionet paqeruajtëse.
“FSK-ja është përkrahur nga Amerika në misionet paqeruajtëse. Kosova dhe SHBA-ja kanë harmonizim mes vete. Ne jemi me fat që e kemi një popull që na mbështet si SHBA-ja në të gjitha aspektet, por në veçanti në ato mbrojtëse”, ka deklaruar Ibishi për emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Duke folur për marrëdhëniet me partnerët amerikanë, Ibishi ka thënë se Kosova duhet t’i marrë seriozisht ofertat e SHBA-së dhe të mos humbasë mundësitë për bashkëpunim.
“Kosova nuk mund t’i shesë mend Amerikës, duhet t’i pranojë ofertat e tyre. Nuk bën që ne të bëjmë analiza kur Amerika na ofron diçka. Shembull është dashur të pranohej gazi amerikan. Te partnerët seriozë nuk duhet të ketë dyshime. Njëherë vjen mundësia dhe, nëse nuk realizohet, mund të futemi në situata të rrezikshme”, ka thënë Ibishi.







