Arabia Saudite ka konfirmuar të dielën se Huthët e Jemenit tentuan të sulmojnë Riadin me një raketë balistike.
Kjo përbën sulmin e parë ndaj kryeqytetit saudit që prej përshkallëzimit të konfliktit me grupin ushtarak jemenas.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se raketa u interceptua, ndërsa nuk pati raportime për viktima apo dëme materiale.
Sipas autoriteteve saudite, Huthit tentuan gjithashtu të godasin infrastrukturën civile në qytetin port të Yanbus, si dhe në Taif, Baysh dhe Farasan.
Nga ana tjetër, Huthët pretendojnë se sulmet ndaj Arabisë Saudite ishin kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve saudite për të goditur kryeqytetin jemenas, Sanaa.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha se forcat e armatosura jemenase kanë kryer dy operacione ushtarake, duke përdorur një numër të madh raketash balistike e lundruese dhe dronësh.
“Në përgjigje të përpjekjeve kriminale të armikut saudit për të synuar kryeqytetin, Sanaa, duke përdorur taktika të stilit të ISIS-it, duke përfshirë bombardime pa dallim që synonin civilët, Forcat e Armatosura të Jemenit kryen dy operacione ushtarake të suksesshme duke përdorur një numër të madh raketash balistike dhe lundrimi, si dhe dronë. I pari shënjestroi vende të ndjeshme në kryeqytetin saudit, Riad, dhe i dyti shënjestroi objektet e Aramco-s në Yanbu”, ka thënë Saree.
Përshkallëzimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara në rajon, ndërsa Arabia Saudite dhe Huthët kanë shkëmbyer sulme të përsëritura gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, Turqia ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Arabinë Saudite në përmbushjen e nevojave të saj ushtarake.
Rijadi tashmë ka një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje me Turqinë dhe Pakistanin, e nënshkruar muajin e kaluar, sipas së cilës një sulm i armatosur ndaj njërit prej vendeve anëtare konsiderohet sulm ndaj të trejave.
Kurse, Pakistani ka përsëritur mbështetjen për Arabinë Saudite, por ka sqaruar se deri tani nuk ka pasur diskutime për një përgjigje ushtarake ndaj sulmeve të Huthëve./teve1.info/











