Lumnije Berisha, gazetare, e cila në moshën 4-vjeçare ka humbur aksidentalisht shikimin, thotë që nuk është kthyer asnjëherë mbrapa edhe përkundër vështirësive.
Ajo tashmë është një gazetare, e cila realizon emisione të ndryshme në Radio Kosovë.
Në rrëfimin e saj në emisionin “410” në Tëvë1, Berisha thotë që familja e saj ka qenë shtylla kryesore që ka vendosur të arsimohet. Qysh në moshën 6-vjeçare ajo ka shkuar në shkollën speciale për personat e verbër dhe për ata me shikim të dëmtuar që gjendet në Pejë, e cila është shkollë rezidenciale, ku gazetarja ka qëndruar në konvikte me vite.
“Aty kam përfunduar shkollimin deri në shkollën e mesme për të vazhduar më pas me përpjekjet për të arritur deri këtu ku jam sot”, tha gazetarja Lumnije Berisha.
Ajo tregoi se shikimin e ka humbur aksidentlisht.
“Ka ndodhur një aksident mes fëmijësh, kështu ka qenë d.m.th. ajo është keq, se për shembull ndalem dhe flas nuk është mirë që të flas më tepër dhe ta bëjë të ndihet keq personi tjetër. Normalisht kemi qenë fëmijë, nuk ka ndodhë qëllimshëm”, u shpreh ajo.
Pavarësisht kësaj, Berisha apelon që fëmijët duhet të jenë në mbikëqyrje dhe të kenë kujdes gjatë lojërave.
“Ajo ka ndodhur aksidentalisht, por gjithmonë unë sot them që fëmijët duhet me pasë shumë kujdes, sinqerisht duhet me i ruajt fëmijët shumë, sepse vetëm një sekondë ndodh edhe mundet me ndodhë diçka e pa këndshme, por prapë se prapë them se nuk ka qenë ndoshta e qëllimshme, mbase ka qenë ashtu e shkruar”, apeloi ajo.
Berisha tregoi se krahas vështirësive, prapë nuk është ndalur dhe ka vazhduar të ecë para në fushën e medias.
“Unë kam pasur vështirësi, sepse sapo përfundova shkollimin e mesëm atëherë doja të vazhdoja studimet në Fakultetin Juridik, por ndodhi që unë e bëra një hap prapa dhe pastaj vazhdova me trajnime të ndryshme, mirëpo ato zgjasnin shumë pak 3-6 muaj më së shumti 1 vit, por atë mësim që unë e merrja gjatë trajnimeve, fatkeqësisht unë nuk kisha ku ta plasoja”, tha Berisha.
Ajo tregon se prej të gjitha trajnimeve, më së shumti ajo është përshtatur në fushën e medias.
“Më dukej interesant se në atë fushë mund të mësoja shumë gjëra, thjesht një oqean i tërë”, përfundoi Berisha. /Teve1.info/