Kriza e rëndë energjetike mund t’i kushtojë Kosovës së paku dy milionë euro në ditë për import të energjisë elektrike.
Kështu ka paralajmëruar kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se vetëm gjatë muajit shtator, importi i energjisë elektrike ka kushtuar rreth 27 milionë euro.
Sipas tij, këto shpenzime rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët, qoftë përmes faturave të energjisë elektrike, qoftë përmes buxhetit të shtetit.
“Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. E dimë që ka shumë kamuflime, e dimë që shumë çka sikur në raste të tjera, unë e përdor një fjalë ‘pështjellët’ në Kosovë, ama duhet me e potencu pastër”, tha Ardian Gjini.
Gjini ka prezantuar edhe shifrat e prodhimit dhe kërkesës për energji elektrike. Sipas tij, në momentin e deklarimit, prodhimi ishte rreth 372 megavatë, ndërsa kërkesa e kalonte 800 megavatë.
“Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milion euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin. Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë”, pohoi Gjini.
Krahas kostove të importit, kryetari i Aleancës ka kritikuar Qeverinë edhe për mosriparimin e bojlerit të njërit prej blloqeve prodhuese të energjisë.
Gjini ka pretenduar se tenderi për riparimin e tij është mbyllur pa fitues, duke e cilësuar këtë si dështim të qëllimshëm dhe duke ngritur dyshime për parregullsi në procedurë.
“E dini që Kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit. I cili ka pas me u riparu deri në fund të këtij viti, e kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i Kurtit është i pariparuar”, vlerësoi Gjini.
Për këtë çështje, Gjini ka paralajmëruar se javën e ardhshme Aleanca do të kërkojë interpelancë në Kuvendin e Kosovës.






