Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për modernizimin e administratës publike, digjitalizimin e shërbimeve dhe shkëmbimin e përvojave në zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Haxhiu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy administratave, duke vënë në pah përvojën e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shkëmbimet ndërmjet administratave tona do të na mundësonin të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të përfitojmë nga përvoja e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Haxhiu.
Ajo gjithashtu ka shprehur mirënjohje për angazhimin e ministrit Dukaj në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe për mbështetjen e Malit të Zi ndaj rrugës evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit, Haxhiu ka vlerësuar edhe kontributin e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar se angazhimi i tyre në jetën publike ndihmon në zhvillimin e vendit dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shoqërive.







