Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe vendimin e Bashkimit Evropian për të zhvilluar konsultime lidhur me këtë çështje.
Haxhiu ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet ta përqendrojnë vëmendjen te strategjia shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ajo ka thënë se çdo nismë që ndërmerret për këtë çështje duhet të ketë një qëllim të qartë dhe të prodhojë efektin e duhur.
“Ne gjithmonë kemi insistuar që fokusi duhet të vendoset te strategjia shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së. Për çdo veprim që ndërmerret për këtë qëllim, duhet ta dimë paraprakisht se cili është synimi që duam ta arrijmë”, ka deklaruar Haxhiu.
Duke folur për Ligjin për Specialen, ajo ka rikujtuar se ky ligj ishte kthyer nga presidentja, ndërsa ka theksuar se qëndrimi i saj dhe i institucionit që drejton ka qenë se kjo nuk është forma e duhur për të adresuar çështjen.
Haxhiu ka bërë të ditur se çështja e dekretit të presidentes duhet të trajtohet nga Kuvendi, ndërsa ka paralajmëruar se në njërën nga seancat e ardhshme mund të jetë pikë e rendit të ditës.
Ajo ka shtuar se grupi punues për strategjinë shtetërore është duke punuar në finalizimin e saj, duke përmendur edhe përvojat e shteteve të tjera, si Kroacia.
Sa i përket qëndrimit të Bashkimit Evropian, Haxhiu ka thënë se gjatë vizitës së saj në Bruksel ka vërejtur shqetësime lidhur me Ligjin për Specialen, por ka theksuar se Kosova është e përkushtuar në këtë proces.
E pyetur nëse Kosova rrezikon të përballet me masa të reja nga Bashkimi Evropian për shkak të Ligjit për Specialen, Haxhiu ka thënë se nuk janë paralajmëruar masa të tilla.
Ajo ka theksuar se prioritet i Kosovës duhet të mbetet procesi i integrimit evropian, zbatimi i agjendës evropiane dhe anëtarësimi në NATO.
Haxhiu ka rikujtuar gjithashtu masat që BE-ja kishte vendosur më herët ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta, pasi, sipas saj, ato ishin vendosur ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë pas sulmit në Banjskë.
“Ne nuk jemi paralajmëruar për një gjë të tillë dhe nuk është theksuar se do të ketë ndonjë masë. Besoj se për Kosovën është shumë e rëndësishme të fokusohet në prioritetet që ka në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në zbatimin e agjendës evropiane dhe në anëtarësimin në NATO”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se Kosova po kërkon drejtësi dhe se nuk do të ishte e drejtë, sipas saj, që vendi të përballej me masa të reja.







