Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e përurimit të lapidarit kushtuar Jakup Krasniqit, ku ka kujtuar sakrificën dhe kontributin e tij gjatë rrugës për lirinë e Kosovës.
Jashari ka përmendur vuajtjet e Krasniqit në burgjet e pushtuesit, qëndresën e tij përkrah bashkëveprimtarëve, si dhe angazhimin në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka folur edhe për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke shprehur pakënaqësinë për procesin gjyqësor dhe duke kërkuar angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës.
“Baci Jakup ishte vetë njeri i sakrificës. Përkundër vuajtjeve në burgjet e pushtuesit, qëndroi stoik me bashkëveprimtarët dhe i pathyeshëm. Pas gjithë këtyre vuajtjeve, ishte edhe zëvendës i projektit më të madh të luftës së lavdishme të UÇK-së”, ka deklaruar Jashari.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen sa më shpejt në një seancë të veçantë për të diskutuar dhe adresuar çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas Jasharit, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë lidhur me atë që ai e cilësoi si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.







