Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve mediatike për zjarrin në nënstacionin Kosova B, duke sqaruar se incidenti ka ndodhur në infrastrukturën që menaxhohet nga KOSTT-i.
KEK-u ka shprehur shqetësimin për përdorimin e fotografive të aseteve të tij në raportimet për këtë ngjarje, duke vlerësuar se kjo krijon perceptim të gabuar te qytetarët.
“KEK-u nuk i shmanget përgjegjësisë për veprimtarinë dhe asetet që menaxhon, por nuk mund të mbajë përgjegjësi për defekte apo incidente që u përkasin operatorëve të tjerë të sektorit energjetik”, thuhet në reagim.
Korporata u ka bërë thirrje mediave që të verifikojnë përgjegjësitë e operatorëve përkatës dhe të përdorin pamje që pasqyrojnë saktësisht natyrën dhe vendndodhjen e ngjarjeve.
Reagimi pa ndërhyrje
REAGIM PUBLIK I KEK SH.A.
RAPORTIMI I SAKTË ËSHTË PËRGJEGJËSI – KEK-U NUK MUND TË FAJËSOHET PËR ÇDO INCIDENT NË SEKTORIN ENERGJETIK!
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.), në funksion të informimit të drejtë dhe objektiv të opinionit publik, shpreh shqetësimin lidhur me një praktikë gjithnjë e më të shprehur në raportimet për zhvillimet në sektorin energjetik, ku, pavarësisht natyrës së problemeve, vendndodhjes së incidenteve apo përgjegjësive institucionale, emri dhe imazhet e KEK-ut përdoren në mënyrë të përgjithësuar, duke krijuar përshtypjen e gabuar se Korporata është përgjegjëse për çdo problem që ndodh në sistemin elektro-energjetik të Kosovës.
Është e papranueshme që KEK-u të shndërrohet në adresë të përgjegjësisë për çdo defekt, ndërprerje apo incident në sektorin energjetik, edhe në rastet kur ngjarje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me asetet, veprimtarinë apo kompetencat e tij institucionale.
aPër të shmangur çdo paqartësi, rikujtojmë se sektori energjetik i Kosovës përbëhet nga operatorë dhe institucione të ndryshme, me funksione, kompetenca dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë:
KEK – Prodhimi i energjisë elektrike dhe termike, si dhe prodhimi i qymyrit.
KOSTT – Transmetimi i energjisë elektrike dhe operimi i sistemit të transmetimit.
KEDS – Shpërndarja dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes.
KESCO – Furnizimi i konsumatorëve dhe faturimi i energjisë elektrike.
ZRRE – Rregullimi dhe mbikëqyrja e sektorit energjetik, përfshirë licencimin dhe tarifat e rregulluara.
Këto përgjegjësi janë të përcaktuara dhe të rregulluara me ligj dhe nuk mund t’i atribuohen automatikisht KEK-ut vetëm për faktin se Korporata është një nga ndërmarrjet kryesore të sektorit energjetik.
Për rrjedhojë, çdo incident duhet të trajtohet dhe raportohet në përputhje me vendndodhjen, natyrën dhe përgjegjësitë reale të operatorit përkatës, pa përgjithësime dhe pa atribuuar përgjegjësi institucionale të pambështetura në fakte.
SHQETËSUES PËRDORIMI I PAMJEVE TË KEK-UT PËR INCIDENTIN NË NËNSTACIONIN E KOSTT-IT!
Veçanërisht shqetësues është raportimi për zjarrin e shfaqur sot, më 26 nëntor 2026, në orët e para të mëngjesit, në autotransformatorin AT2 të nënstacionit “Kosova B”, pjesë e infrastrukturës së transmetimit që menaxhohet nga KOSTT-i.
Edhe pse incidenti ka ndodhur në një aset që nuk është në përgjegjësinë operative të KEK-ut, në disa raportime mediatike janë përdorur pamje të objekteve dhe aseteve të Korporatës, duke krijuar një ndërlidhje të pasaktë ndërmjet ngjarjes dhe KEK-ut.
Është e papranueshme që një incident i ndodhur në infrastrukturën e një operatori tjetër të ilustrohet me pamje të KEK-ut, duke krijuar te qytetarët përshtypjen se ngjarja ka ndodhur në asetet e Korporatës apo se përgjegjësia për të i takon KEK-ut.
Kjo praktikë e raportimit duhet të marrë fund. Nuk mund të vazhdohet me krijimin e një perceptimi publik ku çdo problem në prodhim, transmetim, shpërndarje apo furnizim i atribuohet KEK-ut, pa bërë dallimin ndërmjet përgjegjësive ligjore dhe operacionale të secilit subjekt.
KEK-u respekton lirinë dhe pavarësinë editoriale të mediave, por thekson se informimi i drejtë kërkon verifikim të fakteve, saktësi dhe përgjegjësi profesionale.
Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe portaleve që, gjatë raportimit për incidente, defekte apo ndërprerje në sektorin energjetik, të verifikojnë operatorin përkatës dhe të përdorin pamje që pasqyrojnë saktësisht vendin dhe natyrën e ngjarjes. Në rastet kur përdoren pamje ilustruese, kjo duhet të bëhet e qartë, duke shmangur çdo paraqitje që mund të krijojë perceptime të gabuara te opinioni publik.
KEK-u nuk i shmanget përgjegjësisë për veprimtarinë dhe asetet që menaxhon, por nuk mund të mbajë përgjegjësi për defekte apo incidente që u përkasin operatorëve të tjerë të sektorit energjetik.
Përgjegjësitë institucionale janë të ndara – raportimi i saktë nuk është zgjedhje, por detyrim profesional!
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete







